Vendosni fjalën kyçe....

CIA goditet nga një sulm kibernetik


Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) janë përballur me një sulm të mundshëm kibernetik, i cili ka prekur informacione të paklasifikuara, thanë për CNN katër burime të njohura me çështjen.

Ndërhyrja preku një sistem që agjencitë përdorin për analizën e inteligjencës nga burime të hapura, tha njëri prej burimeve.

Shtrirja e plotë e sulmit mbetet e paqartë, por zyrtarët theksuan se asnjë informacion i klasifikuar nuk është prekur. “Nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”, i tha CNN një zyrtar i ODNI-së.

CIA-ja nuk pranoi të komentojë.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), e cila mbikëqyr 17 agjenci amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n, ka investuar vitet e fundit në punën me inteligjencën nga burime të hapura, e cila shpesh përfshin informacione të paklasifikuara.

Ndërhyrja e dyshuar, për të cilën raportoi fillimisht gazeta The New York Times, është incidenti i fundit në një seri sulmesh kibernetike ose ndërprerjesh teknologjike që kanë shkaktuar shqetësim në qeverinë amerikane dhe sektorin privat.

Incidenti nuk duket të ketë lidhje me një sulm të mundshëm kibernetik ndaj bazës kombëtare të të dhënave të FBI-së për informacionet kriminale, thanë dy prej burimeve. Për këtë sulm CNN raportoi fillimisht të premten.

Këto incidente kibernetike kanë ndodhur në të njëjtën periudhë me një seri ndërprerjesh të tjera teknologjike, pa lidhje me njëra-tjetrën, që kanë prekur bankat, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe sistemin e kontrollit të trafikut ajror të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

https://edition.cnn.com/2026/11/24/politics/cia-odni-hack-unclassified-information