Çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rënie në Zvicër, duke sjellë një lehtësim për shoferët pas shtrenjtimit të tyre gjatë javëve të fundit.

Sipas të dhënave më të fundit të Klubit Zviceran të Automobilizmit (TCS), të publikuara të martën, më 24 nëntor, të gjitha llojet kryesore të karburanteve janë liruar për 6 centimë për litër brenda më pak se një jave.


Një litër benzinë pa plumb 95 kushton mesatarisht 1.83 franga zvicerane, ndërsa benzina 98 ka zbritur në 1.94 franga për litër. Edhe nafta (Diesel) është liruar për 6 centimë, duke arritur çmimin mesatar prej 2.23 frangash për litër.

Sipas agjencisë Keystone-SDA, rënia e çmimeve lidhet kryesisht me qetësimin e situatës në tregjet ndërkombëtare të naftës bruto.

Të martën, një fuçi e naftës së tipit Brent tregtohej për pak më shumë se 90 dollarë, ndërsa në fund të tetorit çmimi kishte arritur rreth 115 dollarë, shkruan Swissinfo.

Në uljen e çmimeve ka ndikuar edhe përmirësimi i nivelit të ujit në lumin Rhein, transmeton Telegrafi.

Pas disa muajsh me nivele të ulëta, reshjet e vazhdueshme kanë rritur nivelin e lumit, duke lehtësuar transportin e derivateve drejt Zvicrës.

Rënia e çmimeve në pikat e karburanteve pritet të jetë një lajm i mirë për drejtuesit e automjeteve, veçanërisht për ata që përdorin rregullisht veturat për udhëtime dhe punë./Telegrafi/