Në festivalin e teatrit shqiptar, “Moisiu”, që organizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Tiranës dhe Teatri Shqiptar në Shkup, tragjedive që këtë edicion u shfaqën në skenë u ka bërë konkurrencë vlerësimi i jurisë. Për dallim nga shfaqjet, vlerësimi i jurisë është tragjedi reale. Aso tragjedie që dëshmon shumë dhe flet zëshëm. Është e nivelit që do t’i hakmerret ashpër teatrit shqiptar në shumë dimensione
Ka një rregull se ata që i nënshtrohen një gare, pajtohen me rregullat e saj, po ashtu edhe me ata që vlerësojnë. Por, kur vlerësimi shkon në atë nivel sa që s’bëhet dallimi midis ditës dhe natës, gara merr fund. S’ka më sens. Në festivalin e teatrit shqiptar, “Moisiu”, që organizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Tiranës dhe Teatri Shqiptar në Shkup, tragjedive që këtë edicion u shfaqën në skenë u ka bërë konkurrencë vlerësimi i jurisë. Për dallim nga shfaqjet, vlerësimi i jurisë është tragjedi reale. Aso tragjedie që dëshmon shumë dhe flet zëshëm. Është e nivelit që do t’i hakmerret ashpër teatrit shqiptar në shumë dimensione.
Për një javë, publiku në Shkup pa shfaqjet “Drejtësi në Nuremberg”, nën regji të Arben Kumbaros, nga Teatri Kombëtar i Tiranës, “Amour”, nën regji të Besmir Bitrakut, nga Teatri “Bylis” i Fierit, “Pylli”, nën regji të Erson Zymberit, nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, “Sytë e ujkut”, nën regji të Kushtrim Koliqit, nga “Integra”, Prishtinë, dhe “Duke pritur Godonë”, nën regji të Qëndrim Rijanit, nga Teatri “Trajko Prokopiev” i Kumanovës. Gara vazhdoi edhe me shfaqjen “Hamlet”, nën regji të Jonida Beqos, nga Teatri “Metropol” i Tiranës, “Mytma burrin”, nën regji të Kastriot Saqipit, nga Teatri i Qytetit të Preshevës, “Magjistari i Ozit”, nën regji të Kushtrim Bekteshit, nga Teatri i Tetovës, “Romeo dhe Xhulieta”, nën regji të Ilir Bokshit, nga Teatri Kombëtar i Kosovës, dhe “Përtej hekurave”, nën regji të Naser Shatrollit, nga Teatri Shqiptar i Shkupit.
Të dielën mbrëma, në përfundim të edicionit të katërt, Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda shfaqjes “Drejtësi në Nuremberg” nga Teatri Kombëtar i Tiranës. Kjo shfaqje mori edhe çmimin për aktorin më të mirë, që iu nda Lulzim Zeqjes, dhe atë për skenografinë më të mirë, punuar nga Genc Shkodrani. Çmimi për regjinë më të mirë iu nda Ilir Bokshit për shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta”, ndërsa ai për aktoren më të mirë Qëndresa Jasharit, për rolin e Xhulietës. Me çmimin për kostumografinë më të mirë u vlerësua Emira Ymeri për shfaqjen “Magjistari i Ozit”, kurse çmimi i karrierës iu dha aktorit veteran, Vebi Qerimi.
“Një shfaqje e realizuar me forcë artistike...”
Besimi për anëtarë të jurisë kësaj radhe iu dha Osman Ahmetit, aktor i Teatrit Shqiptar në Shkup, Anila Bishës, aktore e Teatrit Kombëtar të Tiranës, dhe Shkëlzen Veselit, aktor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në vlerësimin e realizimeve artistike, subjektiviteti në gjykim është çështje normale. Por jo edhe në rastin konkret. Dhe arsyet janë të shumta. Shfaqja ngre pyetje për përgjegjësinë e fajit individual dhe kolektiv. Po ashtu për gjykatat ndërkombëtare. Por në çfarë forme e bën atë?
“Një shfaqje e realizuar me forcë artistike dhe ndjeshmëri skenike, interpretimet e aktorëve i dhanë jetë konfliktit me emocione të përmbajtura dhe momente të fuqishme dramatike. Shfaqje që dëshmon se teatri, përmes fjalës dhe interpretimit, mund të bëhet një përvojë e fortë artistike dhe njerëzore”, shkruhet në arsyetimin e jurisë për “Drejtësi në Nuremberg”. Krahas vlerësimit të jurisë, çdo ditë edhe kritika ka thënë fjalën e vet në raport me secilën shfaqje. Dhe “Drejtësi në Nuremberg” është prej shfaqjeve që kritika e ka nxjerrë ndër më të dobëtat e festivalit në të gjitha drejtimet. Arsyetimi i jurisë është i paqëndrueshëm në secilën fjali. Ky produksion teatror s’është “një shfaqje e realizuar me forcë artistike dhe ndjeshmëri skenike”. Kjo shfaqje vjen si një ligjëratë historike për gjyqin e famshëm të Nurembergut, ku u dënuan nazistët e rangut të lartë. Është thjesht zhvendosje e tekstit në skenë. Zhvendoset gjyqi në ambient teatror.
“Interpretimet e aktorëve i dhanë jetë konfliktit me emocione të përmbajtura dhe momente të fuqishme dramatike”, shkruhet më tej në arsyetim. Interpretimet e shumicës së aktorëve, sidomos atyre që bartin peshën e shfaqjes, as që mund të krahasohen me emocione të përmbajtura, përjashto deri diku Alfred Trebickën. Në këtë shfaqje aktorët e deklamojnë tekstin me patetizëm të skajshëm dhe as që ia japin shkas e të drejtë publikut të emocionohet. Është aso forme teatrore që publikun as që e merrë parasysh. Shfaqja thjesht thotë çfarë ka për të thënë. Aktorët, edhe në dialog me njëri-tjetrin, i kthehen publikut, si për të nxjerrë aso pozash të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Vetë aktorët kanë njëfarë emocioni artificial në skenë dhe publikun e përjashtojnë plotësisht. Thjesht ia përplasin një pamflet historik fytyrës. U avullon fytyra në skenë. Avokati flet njëjtë si në gjyq po ashtu edhe klientin e vet në privatësi. I gumëzhin gurmazi.
“A keni parë ju ndonjëherë gjykim?”
Artistët shqiptarë të teatrit shpesh përmendin shkollën e Konstantin Sergeyevich Stanislavskit. Dhe midis udhëzimeve të tij janë: “Mos e luaj emocionin, luaje veprimin që e shkakton emocionin”. Mjeshtri rus me nam kërkonte që të mos imitohej emocioni dhe se aktori nuk duhet të bëjë sikur është i zemëruar, i trishtuar apo i dëshpëruar. Po ashtu, u mësonte të tjerëve se emocioni nuk mund të urdhërohet drejtpërdrejt, se ai duhet të jetë rezultat i veprimit skenik dhe, po ashtu, se e vërteta skenike është më e rëndësishme se intensiteti emocional. Dhe “Drejtësi në Nuremberg” s’e ka asnjërën prej këtyre. Juria në arsyetim po ashtu vlerësoi se “shfaqja dëshmon se teatri, përmes fjalës dhe interpretimit, mund të bëhet një përvojë e fortë artistike dhe njerëzore”. Në këtë rast, në teatër qe veç fjala. Teksti i Abby Mann u shkrua si dramë televizive dhe pati premierën më 1959. U inskenua brenda atij formati dhe më pas u shndërrua në film e më vonë edhe në dramë teatri. S’funksionoi asnjëherë si dramë teatri. Gjithnjë u pa si një ligjëratë historike. Madje, edhe inskenimi në “Broadway” më 2001 nxori në pah një dramë që s’i plotësoi pritjet. Më pas, më 2005, teksti u inskenua nën titullin “Judgment at Nuremberg” në “International City Theatre” në Kaliforni dhe kritiku Steven Oxman, midis të tjerash, shkroi: “Trupa e aktorëve dhe regjisori, shumë shpesh, e ngatërrojnë ngjalljen e emocioneve te publiku me teprimin emocional të aktorëve në interpretim”. Ky përshkrim i rri karshi edhe inskenimit të Arben Kumbaros. Dhe pak a shumë kështu iu tha edhe atij në tryezën e kritikës në Shkup.
“A keni parë ju ndonjëherë gjykim?”, qe kundërpërgjigjja e tij. Foli gjatë për gjeopolitikën e gjyqet ndërkombëtare, por jo për teatrin që bën. Kritika në Shkup, në diskutimet e përditshme, i ka renditur shumë më lart shfaqjet si “Magjistari i Ozit” “Hamleti”, “Sytë e ujkut”, “Romeo dhe Xhulieta” dhe “Amour”.
“Juria ka çfarë të vlerësojë dhe si të arsyetohet”, ka thënë një anëtar i kritikës, pak para ceremonisë së ndarjes së çmimeve. “Ky është kthim prapa”, ka thënë i njëjti pas ndarjes së çmimeve. Loja e aktorëve që kanë pasur barrë të rëndë në disa shfaqje qe shumë më e mirë sesa ajo e aktorit që iu nda Çmimi. Kurse skenografia e “Drejtësi në Nuremberg” është më konformistja e mundshme. Një mal me dërrasa që e kthejnë skenën në sallë gjyqi. Përtej kësaj, shfaqja ka edhe shkarje të mëdha logjike. Në një rast, prokurori dhe gjyqtari kërkojnë miratimin e avokatit mbrojtës që të dëshmojë një dëshmitare. Dhe pak më vonë, avokati mbrojtës nxjerr të dhëna që i kishte paraprakisht për biografinë e dëshmitares. Disa prej aktorëve të kësaj shfaqjeje luajnë tejet më mirë dhe emocionojnë publikun në shfaqjen e Bitrakut.
Çmimi si deklaratë
Derisa ka pranuar çmimin për shfaqjen më të mirë, drejtori i Teatrit Kombëtar të Tiranës, Indrit Çobani – që luan avokatin – ka thënë se Festivali dhe Çmimi janë edhe një “deklaratë”. Po, Çmimi për shfaqjen më të mirë është një deklaratë se nga duhet të shkojë teatri shqiptar. Por, në rastin konkret, ajo shfaqje është prej produksioneve që duhet ta shohin krejt studentët e aktrimit dhe të regjisë, për të kuptuar se si nuk bëhet teatër. Është shkollë për këtë. Dhe një inskenimi të tillë s’i bëhet vendi përtej një pjese të Ballkanit. Si formë, s’i thotë gjë kujt dhe s’komunikon me askënd.
Anëtarët e jurisë në raste të tilla kanë përgjegjësi të madhe. Derisa shumica në sallë, me ndarjen e çmimeve, kanë ulur kokën, kjo flet shumë. Anëtarët e jurisë duhet t’i lënë kushtëzimet e llojit: “Ose bëhet kësisoj, ose unë tërhiqem dhe çmimet mbesin pa u ndarë”. Përballë produksioneve ku inovacioni, loja dhe ndjesia janë të një niveli krejt tjetër, si te “Romeo dhe Xhulieta”, “Amour”, “Sytë e ujkut” e “Magjistari i Ozit”, e deri te “Hamleti”, përcaktimi i jurisë për “Drejtësi në Nuremberg” ngre një pyetje të madhe: A duhet të mbështetet një Festival që promovon teatër të tillë? Vlerësimet e tilla janë abuzim me taksat që financojnë këtë ngjarje. Përballë këtij mjerimi profesional në raport me integritetin e jurisë, ka edhe propozime që festivali të mos ketë karakter garues. Dhe po, kjo mund të jetë një zgjidhje. Teatri Kombëtar i Tiranës ka një tjetër propozim: atë që të mos ketë kritikë fare. Edhe ata kanë të drejtë, pasi kritika i renditi nga fundi. Shumë më lartë qenë teatri “Bylis” dhe “Metropoli”. Për jurinë shfaqja më e mirë s’është ajo që vetë e vlerësuar për aktoren më të mirë dhe regjinë me të mirë.
Atmosfera pas ndarjes së çmimeve qe dëshmi se një festival që synon bashkimin e artistëve dhe ngjarjen e krahasimeve e bashkëpunimeve, ngadalë por ngjallë revoltë refuzimi. Nëse vazhdohet kësisoj, ajo një ditë do të shpërthejë. Ndoshta deri në nivelin e çjerrjes sikurse ngjan te personazhet e “Drejtësi në Nuremberg”.
“Heshtja përballë degradimit është bashkëpjesëmarrje”
DEKLARATË PUBLIKE
Si regjisor pjesëmarrës në Festivalin e Teatrit “Moisiu”, shpreh indinjatën time të thellë për degradimin e standardeve profesionale, artistike dhe etike të këtij festivali.
Mënyra e organizimit, procesi i vlerësimit dhe vendimet e jurisë, ngrenë dyshime serioze mbi integritetin, paanshmërinë dhe kredibilitetin vleror e artistik të festivalit. Përgjegjësia për këtë situatë bie si mbi organizatorët, ashtu edhe mbi jurinë e festivalit.
Është e turpshme se si veprimet që ngrenë dyshime serioze për manipulime, shkëmbime favoresh dhe praktika të tjera korruptive manifestohen kaq hapur, në sytë e të gjithë komunitetit artistik, pa asnjë ndjesi përgjegjësie profesionale dhe morale.
Me përbuzje dhe përçmim i shoh këto praktika dhe sjellje, të cilat, përveçse ofendojnë punën artistike, cenojnë dinjitetin profesional të artistëve dhe zhvlerësojnë vetë institucionin e festivalit.
Reagimi im buron nga refuzimi kategorik i një kulture organizative dhe vlerësuese që komprometon parimet themelore të profesionalizmit, meritokracisë dhe etikës artistike.
Është e papranueshme që një festival që mban emrin e Aleksandër Moisiut dhe pretendon të përfaqësojë vlerat më të mira të teatrit, të degradojë deri në atë pikë sa të vërë në dyshim vetë kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës së tij.
Për këto arsye, kam vendosur që, për sa kohë festivali “Moisiu” mbetet brenda kësaj mendësie të funksionimit, të mos marr pjesë me asnjë nga shfaqjet e mia në të.
Nuk pranoj që përmes emrit, punës dhe pjesëmarrjes sime të legjitimoj praktika që, sipas bindjes sime profesionale, kontribuojnë në degradimin e kulturës teatrore dhe të sistemit të vlerësimit artistik.
Ky vendim është një akt proteste, refuzimi dhe përgjegjësie profesionale, në emër të mesazhit që rrezikojmë të përçojmë për teatrin dhe mënyrën si duhet bërë ai, duke i pranuar e rehabilituar këto praktika dhe njerëzit që i ushtrojnë ato.
Heshtja përballë degradimit është bashkëpjesëmarrje në të. Unë refuzoj të bëhem pjesë e këtij normalizimi.
Kushtrim Koliqi
Regjisor