Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shiroka-Pula viziton FSK-në, vlerëson rritjen e investimeve në mbrojtje

Justina Shiroka Pula

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka - Pula, gjatë vizitës se saj të parë te Forca e Sigurisë së Kosovës, ka vlerësuar rritjen e investimeve në mbrojtje dhe përparimin në zhvillimin e FSK-së, duke theksuar rëndësinë e pajisjeve moderne, infrastrukturës, trajnimit cilësor dhe aftësive operacionale.

Gjatë kësaj vizite ajo është pritur me ceremoni ushtarake nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

“Presidentja Shiroka -Pula zhvilloi takim me komandantin e FSK-së, ku u njoh nga afër me zhvillimin e Forcës, misionin, strukturën organizative, kapacitetet njerëzore, pajisjet, armatimin, infrastrukturën, operacionet dhe sfidat e saj. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i dhuroi presidentes Shiroka Pula uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shenjë nderimi në cilësinë e saj si Komandante Supreme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shiroka - Pula ka zhvilluar gjithashtu takim me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin thuhet se ka diskutuar për investimet në modernizimin e FSK-së, përfundimin e procesit të tranzicionit dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj.

“Ajo vlerësoi rritjen e investimeve në mbrojtje dhe përparimin në zhvillimin e FSK-së, duke theksuar rëndësinë e pajisjeve moderne, infrastrukturës, trajnimit cilësor dhe aftësive operacionale. Në takim u diskutua edhe për mirëqenien e pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë kompensimin e punës jashtë orarit, shtesat për rrezikshmëri, sigurimin shëndetësor dhe zbatimin e të drejtave të tyre ligjore”, thuhet në njoftim.

Në përmbyllje të vizitës, presidentja Shiroka - Pula ka drekuar me pjesëtarë të FSK-së në kuzhinën e kazermës “Adem Jashari”, ku ka bashkëbiseduar me ushtarakët dhe ushtaraket për shërbimin, përvojat dhe sfidat e tyre.

Edhe Komandantja e re supreme diskuton për forcimin e kapaciteteve të FSK-së Arbëri Komandantja e re supreme diskuton për forcimin e kapaciteteve të FSK-së

Ndërkohë në njoftimin e FSK-së thuhet se gjenerallejtënant Bashkim Jashari e ka njoftuar presidenten për të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, procesin e zhvillimit dhe avancimit të saj, si dhe progresin e arritur në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale.

“Me këtë rast, presidentes iu prezantua një përmbledhje e zhvillimit të FSK-së, duke përfshirë procesin e transformimit, modernizimin, ngritjen e kapaciteteve ushtarake, si dhe vizionin për zhvillimin e mëtejmë të Forcës.

Në takim thuhet se Jashari ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së në përmbushjen e misionit dhe detyrave kushtetuese në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.