Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që kryente grabitje në vila dhe banesa luksoze në rajonin e Galicisë. Të dyshuarit, të moshës 31 deri në 32 vjeç, akuzohen për rreth 20 grabitje në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Sipas mediave spanjolle, të rinjtë shqiptarë u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Ziralla”, të drejtuar nga Njësia e Policisë Gjyqësore e Gardës Civile në Ourense. Sipas hetimeve, grupi kishte një mënyrë të mirëorganizuar veprimi. Anëtarët e tij përzgjidhnin paraprakisht banesa individuale dhe vila të vendosura në zona të qeta rezidenciale, ndërsa grabitjet i kryenin kryesisht gjatë natës.
Ajo që bie në sy në këtë rast është shpejtësia e veprimit. Sipas gazetës “La Región”, të dyshuarit arrinin të përfundonin një grabitje brenda vetëm 10 minutash, duke u larguar më pas nga vendngjarja. Pas grabitjeve, tre shqiptarët nuk ktheheshin në hotele apo apartamente, por largoheshin drejt zonave të thella malore, ku kishin ngritur një kamp me çadra. Aty kalonin natën për të shmangur identifikimin dhe gjurmimin nga autoritetet.
Gjatë kontrolleve, policia zbuloi vendin ku qëndronin të dyshuarit, në një zonë të vështirë për t’u arritur në provincën Pontevedra. Në kamp u gjetën pesë automjete që dyshohet se përdoreshin për grabitjet, si dhe mjete të ndryshme, çekiçë të rëndë, veshje të errëta, kapele dhe maska. Gjithashtu, u sekuestruan disa targa automjetesh, të cilat dyshohet se ndërroheshin vazhdimisht për të vështirësuar identifikimin e tyre.
Hetuesit gjetën edhe mjete të posaçme për vlerësimin e arit dhe diamanteve, si dhe bizhuteri të vjedhura, disa prej të cilave janë identifikuar nga pronarët e ligjshëm. Në total, u sekuestruan edhe më shumë se 5 mijë euro para të gatshme.
Arrestimi i tre shqiptarëve erdhi pas disa javësh hetimesh dhe ndjekjesh nga Garda Civile. Autoritetet kishin tentuar më parë t’i ndalonin të dyshuarit, por ata kishin arritur t’u shpëtonin dy operacioneve policore. Ndërhyrja përfundimtare ndodhi në orët e para të mëngjesit të 18 nëntorit, kur efektivët i lokalizuan teksa udhëtonin me automjet në provincën Pontevedra, në drejtim të Ourense.
Kur policia ngriti një postbllok në zonën e Vila de Cruces, të dyshuarit tentuan të largoheshin me shpejtësi. Gjatë arratisjes, automjeti i tyre u përplas me dy automjete zyrtare të Gardës Civile, duke shkaktuar dëme materiale. Pak më vonë, drejtuesi humbi kontrollin e makinës dhe automjeti përfundoi në një greminë disa metra të thellë, duke u përmbysur.
Të tre personat mbetën të plagosur dhe u transportuan në spitalin universitar të Ourense, ku morën ndihmën mjekësore për dëmtime të ndryshme. Sipas mediave spanjolle, grabitjet janë regjistruar në disa zona të Galicisë, përfshirë Allariz, Barbadás, Celanova, A Estrada, Vila de Cruces dhe Forcarei.
Në provincën Pontevedra dyshohet se kanë kryer të paktën shtatë grabitje, ndërsa hetimet i lidhin me një total prej rreth 20 ngjarjesh në tri provincat. Të tre të arrestuarit janë dërguar në paraburgim me vendim gjykate, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit dhe për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.


