Protesta do të mbahet nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”.

Përmes saj, RrGK kërkon që femicidi të përcaktohet si vepër penale e veçantë, të krijohet mekanizmi “Femicide Watch” për monitorimin e rasteve dhe të sigurohet financim i qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet që mbrojnë gratë.

Organizata kërkon gjithashtu zbatim të plotë të ligjeve, koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe llogaridhënie për rastet kur institucionet dështojnë t’i mbrojnë viktimat.

RrGK thekson se kërcënimet, përndjekja dhe format e tjera të dhunës shpesh u paraprijnë vrasjeve të grave, prandaj raportimet dhe kërkesat për ndihmë duhet të trajtohen me seriozitet.

Protesta mbahet edhe në kontekstin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.