Greqia është përfshirë këtë të mërkurë nga një grevë e përgjithshme 24 orëshe, ku mijëra punonjës të sektorit publik dhe privat kanë ndërprerë punën për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, pagave të ulëta dhe kushteve të vështira të punës.
Greva është organizuar nga sindikata e nëpunësve të administratës publike, ADEDY, ndërsa në të janë bashkuar dhjetëra organizata sindikaliste, federata, punonjës të sektorit privat, studentë, pensionistë dhe fermerë. Protesta zhvillohen në më shumë se 65 qytete të vendit, përfshirë Athinën dhe Selanikun.
Në thirrjen e saj për protestë, ADEDY thekson se punonjësit nuk pranojnë rritjen e vazhdueshme të çmimeve, pagat e pandryshuara, varfërinë energjetike dhe gjendjen e shëndetësisë dhe arsimit publik.
Greva ka shkaktuar ndërprerje dhe vështirësi në disa sektorë jetikë. Transporti publik, shkollat, spitalet dhe shërbimet shtetërore janë prekur nga protesta. Anijet në disa porte kanë mbetur të ankoruara, ndërsa metroja e Athinës funksionon vetëm nga ora 09:00 deri në 18:00. Në grevë janë përfshirë edhe punonjësit e bankave.
Probleme janë raportuar edhe në transportin ajror. Në 15 aeroporte janë anuluar fluturimet për shkak të pjesëmarrjes në grevë të punonjësve të shërbimeve të informacionit të fluturimeve. Ndërkohë, aeroportet kryesore dhe fluturimet ndërkombëtare nuk janë prekur nga një ndërprerje e përgjithshme.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë rritja reale e pagave, rikthimi i pagave të 13-ta dhe të 14-ta për administratën publike, shtimi i personelit në spitale dhe shkolla, si dhe marrja e masave për uljen e çmimeve dhe qirave.
Në qendër të pakënaqësisë mbetet rënia e fuqisë blerëse të familjeve greke. Sipas të dhënave të Autoritetit Grek të Statistikave, inflacioni në tetor arriti në 5,7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht me 2,1%, ndërsa disa produkte bazë shënuan rritje më të larta. Mishi i viçit u shtrenjtua me 6,5%, mishi i qengjit dhe i kecit me 9,1%, ndërsa vezët me 4,9%.
Edhe tregu i banesave vijon të ushtrojë presion mbi familjet. Qiratë janë rritur me 6,8% brenda një viti, ndërsa shpenzimet e përgjithshme të strehimit, përfshirë energjinë dhe ngrohjen, kanë shënuar rritje prej 15,1%.
Opozita akuzon qeverinë e Kyriakos Mitsotakis se rritja e pagave nuk po arrin të përballojë shtrenjtimin e jetesës. Nga ana tjetër, qeveria argumenton se po ndërmerr masa për rritjen e të ardhurave dhe lehtësimin e barrës fiskale.
Në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen masa mbështetëse për familjet, rritje pagash dhe një shpërblim prej 500 eurosh në fund të vitit për administratën publike. Qeveria parashikon gjithashtu që inflacioni të ulet në 2,8% gjatë vitit të ardhshëm.