Pse Gjenerata Z është e fiksuar pas mallit për dashurinë

Pse Gjenerata Z është e fiksuar pas mallit për dashurinë

10:03, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në botën e takimeve romantike ka një prirje të re, ose më mirë, një prirje për të mos u takuar fare. Traileri i ri i filmit të ardhshëm “Krenari dhe paragjykim” tregon Lizin dhe zotin Darsi teksa shkëmbejnë vështrime plot mall në situata të ndryshme. Ky është një shembull i qartë i diçkaje që çdo pjesëtar i Gjeneratës Z e njeh mirë: mallit për dikë. “Ekipi i marketingut e përdor vazhdimisht fjalën mall”, ka thënë regjisorja Georgia Oakley. Tinder ka raportuar një rritje prej 170 për qind të numrit të australianëve që përdorin fjalën “mall” në profilet e tyre. Një faqe britanike lajmesh pretendon se sapo kemi kaluar “Verën e mallit”, ndërsa revista Elle shkruante së fundmi me entuziazëm se “Rilindja e mallit është larg përfundimit”. Viti 2026 ka qenë i mbushur me histori dashurie të përshkuara nga malli, si në filma, ashtu edhe në serialetelevizive: nga dëshira e zjarrtë e Kethit për Hithklifin në “Lartësitë e stuhishme”, te marrëdhënia e mundimshme mes Rupertit dhe Tegit në serialin “Rivals”, ku vazhdimisht mbetet pezull pyetja nëse do të përfundojnë bashkë apo jo.

Të gjitha këto histori zhvillohen në të kaluarën, përpara shfaqjes së aplikacioneve të takimeve dhe lodhjes që ato sollën më pas. Gjenerata Z, e rritur në epokën digjitale, ndien nostalgji për diçka që nuk ka mundësi ta përjetojë: një formë romance që mbështetet vetëm te kontakti fizik, nga bisedat e gjata deri te prekjet flirtuese. Mungesa, siç na thoshin gjyshet, e shton dashurinë. Por sot mund të kontaktojmë këdo në botë brenda më pak se një sekonde. Pikërisht kjo i bën kaq tërheqëse historitë e vjetra të dashurisë, të kohës para internetit. Në dramat historike, rëndësi të veçantë merr edhe prekja e lehtë e dorës, ndërsa të dy personazhet ndiejnë qartë emocionin që ajo shkakton. Të shohësh profilin në Instagram të personit që të pëlqen nuk të ngjall të njëjtën ndjesi.

Dëshira për të përjetuar këtë mall është një reagim ndaj një kulture takimesh romantike që i ka lodhur njerëzit. Aplikacionet i nxisin të dyja gjinitë t'u japin përparësi lidhjeve afatshkurtra, duke bërë që secili të ndihet lehtësisht i zëvendësueshëm. Si burrat, ashtu edhe gratë, shprehen të lodhur dhe të zhgënjyer nga takimet online, ndaj shumë beqarë po largohen nga këto aplikacione. Ish-përdoruesit thonë vazhdimisht se janë lodhur duke u ndier si produkte që tregtohen dhe, nga ana tjetër, duke i trajtuar partnerët e mundshëm si objekte. Megjithatë, në jetën reale, mundësitë për të njohur dikë janë më të pakta se kurrë. Amerikanët organizojnë më pak festa, kanë më pak miq dhe kalojnë shumë më pak kohë me ta krahasuar edhe me disa dekada më parë. Nuk është çudi që ka rënë numri i çifteve që njihen përmes miqve të përbashkët. Dikur, vendi i punës ishte një mundësi për të njohur partnerë të mundshëm, ndërsa sot vetëm 16 për qind e punonjësve do ta konsideronin një lidhje me një koleg.

“Rilindja e mallit” është, në thelb, një dëshirë për një kohë më të thjeshtë, kur dashuria ndërtohej përmes një afrimiteti të ngadaltë dhe miqësisë. Të dëshirosh dikë me mall dhe, sigurisht, të dish se edhe dikush tjetër të dëshiron, do të thotë të duash të njihesh vërtet nga dikush, të ndiesh kureshtje për të dhe të kuptosh se edhe ai ka të njëjtën kureshtje për ty. Kjo kërkon kohë për t'u njohur, për të krijuar ndjenja dhe më pas, idealisht, për të përfunduar më në fund bashkë. Nënkupton gjithashtu një lidhje më serioze, pasi të dy të kenë pranuar ndjenjat e tyre, dhe jo të përfundosh duke u braktisur papritur, pa asnjë shpjegim. Në një kohë kur beqarët janë të zhgënjyer si nga procesi i njohjes, ashtu edhe nga alternativat që u ofrohen, është e kuptueshme tërheqja ndaj një romance që zhvillohet ngadalë dhe mbështetet te kontakti fizik.

Megjithatë, malli për dikë ka edhe anën e tij të trishtueshme. Gjenerata Z dhe mijëvjeçarët janë të stresuar dhe në ankth. 69 për qind e të rinjve të Gjeneratës Z thonë se shëndeti i tyre mendor është pengesa më e madhe për të krijuar lidhje romantike. Ndërsa beqarët po largohen nga aplikacionet, ata po shmangin edhe mundësitë për të njohur njerëz personalisht, shpesh nga frika se diçka mund të shkojë keq. Në të kundërt, malli nuk mbart rreziqe. Një pjesë thelbësore e tij është se nuk ia shpreh kurrë ndjenjat personit tjetër. Mungesa e reciprocitetit është në qendër të kësaj ndjesie. Në këtë mënyrë, mund të shijosh pëlqimin për dikë pa kaluar nëpër refuzime të sikletshme, pa zbuluar se nuk përputheni dhe pa përjetuar atë ndjesinë e papritur të neverisë apo zhgënjimit ndaj tij.

Ndoshta dëshira për të përjetuar mall për dikë është në të vërtetë një dëshirë për të mbajtur distancën. Nëse po shijon ndjenjën e mallit për dikë, gjëja e fundit që dëshiron është të bësh një bisedë të mirëfilltë me të dhe të rrezikosh të zbulosh anët e pakëndshme të karakterit të tij ose, më keq akoma, ta shohësh duke bërë diçka krejt njerëzore, si për shembull, duke blerë letër higjienike. Një prekje e lehtë e dorës, e ndjekur nga orë të tëra duke vrarë mendjen se çfarë mund të ketë dashur të thotë, është shumë më emocionuese sesa ta zbulosh vetë përgjigjen (që druaj se zakonisht është asgjë).

Rrëshqitja pa fund e gishtit në ekranin e telefonit ka krijuar iluzionin se beqarët mund të trajtohen si produkte në një katalog. “Rilindja e mallit” nuk është një festë e gjetjes së dashurisë së vërtetë, por më tepër një justifikim për t'u larguar prej saj. Të heqësh dorë nga aplikacionet e takimeve është hapi i parë dhe më i lehtë. Të gjesh guximin për ta ftuar dikë në një takim është shumë më e vështirë. Malli për dikë është thjesht një mënyrë tjetër për t'iu shmangur kësaj. / The Spectator – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco