Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e katërt të operacionit të koduar “Fireworks”, duke goditur një tjetër rast të posedimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të dyshuara si të kontrabanduara.
Në fakt aksioni duket se lidhet me protestën e 28 nëntorit. Që nga 13 tetori policia ka kryer disa arrestime dhe sekuestrime që lidhen me përdorimin e lëndëve piroteknike në protesta.
Në kuadër të operacionit është arrestuar një 25-vjeçar, me inicialet R. B., i dyshuar si organizator i veprimtarisë së kundërligjshme, ndërsa një 21-vjeçar, F. A., është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Dy të rinjtë u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, ku po transportonin me dy automjete kuti me fishekzjarrë, të dyshuara si të kontrabanduara dhe të destinuara për shitje. Sipas policisë, ata nuk dispononin dokumentacionin përkatës të blerjes dhe nuk ishin të licencuar për tregtimin e lëndëve piroteknike.
Gjatë kontrolleve në automjetet dhe banesën e 25-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 21 kuti me fishekzjarrë, si dhe automjeti dhe telefoni celular i tij.
Policia bën me dije se hetimet dhe kontrollet vijojnë për identifikimin dhe goditjen e rasteve të tjera të posedimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike të kontrabanduara. a.b





