Policia e Shkodrës ka arrestuar 13 persona në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, pas tre muajsh hetime me metoda proaktive. Të arrestuarit dyshohet se ishin organizuar në disa grupe dhe shisnin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës.
Personat e arrestuar janë Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji.
Tre prej të arrestuarve rezultojnë me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi 1 kilogram e 670 gramë Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në doza dhe e paketuar në qese farmaceutike, si dhe tre peshore elektronike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu dy automjete dhe 14 telefona celularë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.a.b





