
Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, nën dyshimin se janë pjesë e një grupi të organizuar që kryente grabitje në banesa në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña. Sipas mediave spanjolle, grupi ishte i specializuar në vjedhje të shpejta, duke përfunduar çdo grabitje brenda një kohe maksimale prej 10 minutash.
Të arrestuarit janë identifikuar si Renato D., Ermal N. dhe Florian P. Ata dyshohet se kanë kryer deri në 17 grabitje gjatë javëve të fundit, duke përdorur pajisje të sofistikuara dhe metoda të posaçme për të shmangur kontaktin me banorët.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi targa të modifikuara automjetesh, gërshërë hidraulike për të shqyer hyrjet e banesave dhe pajisje të tjera të specializuara. Mes tyre kishte edhe reagentë kimikë që u mundësonin të kontrollonin në vendngjarje pastërtinë e diamanteve dhe arit të vjedhur. Kjo metodë u shërbente për të dalluar sendet me vlerë nga ato të falsifikuara brenda pak sekondash.
Një tjetër element i veprimtarisë së grupit ishte shmangia e kontaktit me viktimat. Sipas kapitenit të Njësisë Organike të Policisë Gjyqësore, Juan José López, në rastet kur në banesë ndodheshin persona, të dyshuarit nuk hynin brenda. Nëse konstatonin praninë e dikujt pasi kishin hyrë, largoheshin menjëherë.
Hetimi nga Garda Civile e Ourense nisi më 30 tetor. Që nga ajo datë, autoritetet identifikuan gjashtë grabitje në zona të ndryshme të provincës. Të parat u regjistruan po atë ditë në A Merca dhe Allariz, më 1 nëntor në Vilanova dos Infantes dhe Barbadás, ndërsa më 4 nëntor në Coles dhe Vilamarín.
Sipas kapitenit López, hetimet vijojnë dhe autoritetet dyshojnë se grupit mund t’i atribuohen edhe vepra të tjera penale.
Pas grabitjeve të para, të dyshuarit u larguan nga Galicia më 7 nëntor, por u rikthyen katër ditë më vonë. Përpara arrestimit, më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedra-s, agjentët e Gardës Civile kishin tentuar dy herë t’i kapnin. Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit strehoheshin në një zonë pyjore, ku flinin në një tendë kampingu.
Arrestimi u krye pasi Garda Civile ngriti një postbllok në zonën e Vila de Cruces. Të dyshuarit tentuan të largoheshin me shpejtësi dhe gjatë arratisjes automjeti i tyre u përplas me dy automjete zyrtare të policisë, duke shkaktuar dëme materiale. Pak më vonë, drejtuesi humbi kontrollin e makinës dhe automjeti përfundoi në një greminë disa metra të thellë.