Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe të dyshuara për shitjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente publike.
Pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, janë vënë në pranga 13 persona, të dyshuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim. Në kuadër të operacionit janë arrestuar Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji. Sipas Policisë, disa prej tyre kanë precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan 1 kilogram e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në doza dhe e paketuar. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe qese farmaceutike që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, pas 3 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Shkolla të Pastra”.
Goditen disa grupe që dyshohet se shitnin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës.
Vihen në pranga 13 shtetas.
3 prej tyre me precedent kriminal për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Sekuestrohen 1 kilogram e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e saj e ndarë në doza, 2 automjete, 14 celularë, 3 peshore elektronike dhe qese farmaceutike për paketimin e lëndës narkotike në doza.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për një periudhë 3-mujore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”.
Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria për 13 shtetas të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, konkretisht:
-F. G., 39 vjeç, I. T., 35 vjeç, S. K., 25 vjeç, L. M., 18 vjeç, të katërt banues në Shkodër dhe me precedent kriminal për prodhim dhe shitje të narkotikëve;
-Q. G., 36 vjeç, M. P., 21 vjeç, L. D., 28 vjeç, E. M., 20 vjeç, E. F., 21 vjeç, E. F., 23 vjeç, Gj. K., 21 vjeç dhe M. Gj., 18 vjeç, të gjithë banues në Shkodër;
-A. S., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, të organizuar në disa grupe, shitnin lëndë narkotike në doza, pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës.
Gjatë kontrolleve në banesat e shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e saj të ndarë në doza dhe të ambalazhuar në qese farmaceutike, 3 peshore elektronike dhe qese farmaceutike për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike në doza. Këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 automjete dhe 14 celularë, që dyshohet se janë përdorur për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net
EMRAT/ U futën në banesën e Princit William dhe Kate Middleton, ngrihet akuzë ndaj dy shqiptarëve
Apeli rrëzon kërkesën e presidentit të PL-së, Ilir Meta, kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit
Zbardhen përgjimet e bosit italian të drogës: Shqiptarët janë padronët e rinj, pushteti është vetëm te paratë