
Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e katërt të operacionit “Fireworks”, duke goditur një tjetër rast të posedimit të lëndëve piroteknike të dyshuara të kontrabanduara.
Në kuadër të operacionit është arrestuar një 25-vjeçar, ndërsa një 21-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Ata u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, teksa transportonin me dy automjete kuti me fishekzjarrë, dyshohet me qëllim shitjen.
Gjatë kontrolleve në automjetet dhe banesën e të arrestuarit u sekuestruan 21 kuti me fishekzjarrë, si dhe automjeti dhe telefoni i tij.
Njoftimi:
Finalizohet faza e katërt e operacionit të koduar “Fireworks”.
Goditet një tjetër rast i posedimit të lëndëve piroteknike, dyshohet për përdorim të kundërligjshëm.
Transportonin me automjet, kuti me fishekzjarrë të kontrabanduar, me qëllim shitjen, arrestohet organizatori i veprimtarisë së kundërligjshme dhe procedohet penalisht bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen 21 kuti me fishekzjarrë që u gjetën në automjetin dhe banesën e të arrestuarit, si dhe automjeti dhe celulari i tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i kontrolleve dhe punës operative të kryera për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që posedojnë dhe/ose shesin lëndë piroteknike të kontrabanduara, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme, finalizuan operacionin e koduar “Fireworks 4”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi R. B., 25 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. A., 21 vjeç.
2 shtetasit u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, duke transportuar me 2 automjete, dyshohet për llogari të 25-vjeçarit, kuti me fishekzjarrë të dyshuar të kontrabanduar. Lënda piroteknike nuk shoqërohej me dokumentacionin përkatës të blerjes dhe shtetasit nuk ishin të licencuar për shitjen e saj.
Më tej, nga kontrolli në banesën e të arrestuarit, u gjetën kuti të tjera me lëndë piroteknike.
Hetimet dhe kontrollet vijojnë për të evidentuar dhe goditur raste të tjera në këtë fushë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.