U arrestua dje, zbulohet roli i vjehrrës në vrasjen e Arlinda Zekajt, Nurije Sylaj: Nuk ndihem fajtore, djali e vrau

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër persona të dyshuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës. Në mesin e tyre janë edhe ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dhe ish-kunati, Driton Sylaj, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, për të cilin ekziston dyshimi për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, Nurije Sylaj dyshohet se ka fotografuar dhe filmuar vazhdimisht Arlindën, pasi kjo e fundit ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare më 22 tetor. Në telefonin e saj janë gjetur fotografi dhe video që pasqyronin praninë dhe lëvizjet e viktimës. Mes materialeve të sekuestruara është edhe një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet, e cila dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes WhatsApp-it.
E pyetur për përgjegjësinë lidhur me ngjarjen tragjike, Sylaj ka thënë: “Ndihna kush është fajtor, unë jo. Djali e ka kry.”, tha ajo.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak për të siguruar informacione mbi vendndodhjen dhe lëvizjet e viktimës, duke lehtësuar kështu realizimin e planit kriminal.
Një tjetër element i rëndësishëm në dosjen e Prokurorisë lidhet me sjelljen e Nurije Sylajt ditën e vrasjes. Sipas organit të akuzës, ajo ndodhej në shtëpi, fillimisht në sallon dhe më pas në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj po sulmonte Arlindën me sëpatë. Megjithëse ishte e pranishme dhe në dijeni të asaj që po ndodhte, dyshohet se nuk ndërmori asnjë veprim për të penguar apo ndalur sulmin.
Prokuroria pretendon gjithashtu se, në deklaratën e dhënë si dëshmitare pas ngjarjes, ajo është përpjekur të devijojë hetimet, duke deklaruar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes. Sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk përputhen me pamjet e kamerave të sigurisë, ku ajo shihet gjatë zhvillimit të ngjarjes.
Edhe Driton Sylaj dyshohet se ka pasur rol në përcjelljen e viktimës para vrasjes. Sipas dosjes, ai ka filmuar Arlindën më 23 tetor dhe videon ia ka dërguar Nurije Sylajt, ndërsa pas kryerjes së vrasjes është njoftuar nga Albert Sylaj për ngjarjen. Prokuroria pretendon se komunikimet e gjetura në telefonat e Nurije dhe Driton Sylajt tregojnë se shqetësimi i tyre kryesor nuk ishte vrasja e Arlindës, por mundësia e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes së tyre.
Në dosje përmenden edhe komunikime kërcënuese ndaj dëshmitares A.S. dhe një të miture, ndërsa në një prej mesazheve citohet një kërcënim me përmbajtje: “tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty”. Prokuroria vlerëson se këto komunikime tregojnë rrezikun e ndikimit dhe presionit ndaj dëshmitarëve.
Përveç Nurije dhe Driton Sylajt, Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin, të dyshuar se kanë ndihmuar Albert Sylajn të largohej dhe të fshihej pas vrasjes. Prokuroria thotë se dyshimet mbështeten në pamjet e kamerave të sigurisë, ekzaminimin e telefonave të sekuestruar, komunikimet dhe deklaratat e dëshmitarëve, si dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të Albert Sylajt.
Sipas organit të akuzës, ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë te dëshmitarët ose të përsërisin vepra penale, ndaj masa e paraburgimit konsiderohet e domosdoshme për zhvillimin e papenguar të hetimeve.
/vizionplus.tv




