Nga golat te roli i një bosi mafioz! Zlatan Ibrahimovic mund të jetë gati për sfidën e tij të radhës

Zlatan Ibrahimović mund të jetë duke përgatitur një tjetër surprizë, këtë herë larg fushave të futbollit! Ish-sulmuesi suedez raportohet se do t’i bashkohet kastit të serialit të njohur kriminal “MobLand”, ku pritet të interpretojë një personazh negativ, në rolin e një bosi të fuqishëm të botës së krimit.
Sipas raportimeve të gazetës britanike The Sun, producentët e serialit kanë menduar për Ibrahimovićin për shkak të fizikut imponues, pamjes karakteristike dhe prezencës së tij që mund t’i përshtatet një personazhi të frikshëm mafioz.
Përballë Tom Hardy dhe Pierce Brosnan
Nëse marrëveshja konfirmohet, Zlatan do të ndajë ekranin me emra të mëdhenj të kinematografisë, si Tom Hardy, Pierce Brosnan dhe Helen Mirren.
Seriali “MobLand”, i transmetuar në platformën Paramount+, trajton luftën për pushtet mes familjeve kriminale në Londër. Historia sillet rreth familjes Harrigan dhe konflikteve të saj me grupet rivale.
Sezoni i tretë është konfirmuar zyrtarisht dhe protagonistët kryesorë do të rikthehen.
Zlatan nuk është i panjohur për aktrimin
Kjo nuk do të ishte eksperienca e parë e suedezit para kamerave. Në vitin 2023, ai u shfaq në filmin francez Asterix & Obelix: The Middle Kingdom, ku interpretoi personazhin Antivirus, një luftëtar romak.
Madje, Ibrahimović ka shprehur edhe më parë interes për aktrimin, duke e konsideruar këtë një eksperiencë që i jep adrenalinë.
Ende mungon konfirmimi zyrtar
Pavarësisht raportimeve, Paramount+ dhe producentët nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht përfshirjen e Ibrahimovićit në sezonin e tretë. Lajmi vjen fillimisht nga The Sun dhe është ripublikuar nga disa media ndërkombëtare.
Nëse gjithçka konkretizohet, Zlatan mund të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë jo si një nga sulmuesit më të frikshëm të futbollit, por si një personazh që do të krijojë frikë në botën e mafies në ekran.




