AKU bllokon 54 ton mish pule nga Brazili dhe 25 ton produkte gruri në Morinë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar në kufi tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, mes tyre 54 ton mish pule të importuar nga Brazili dhe 25 ton produkte gruri me destinacion Shqipërinë nga Kosova. Sipas njoftimit të AKU-së, dy ngarkesat me mish pule, të importuara nga subjekti “ZICO” sh.a., u bllokuan në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me ato të regjistruara në sistem. Për këtë arsye, është vendosur kthimi i tyre në vendin e origjinës.
Ndërsa në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, e përbërë nga 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt “Hime gruri”. Sipas AKU-së, produktet kishin mangësi të theksuara në dokumentacionin shoqërues. Në pjesën më të madhe të miellit nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, kishte mospërputhje të nivelit të proteinave mes ambalazhit dhe dokumenteve, si dhe mungonin numri LOT dhe fleta e analizës për Aflatoksinën.
Gjatë muajit nëntor, në pikat kufitare janë importuar gjithsej 5 277 ngarkesa, nga të cilat 1 276 me origjinë shtazore, 2 834 me origjinë joshtazore dhe 1 167 ngarkesa me produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inpute bujqësore. Gjithashtu, janë marrë 167 mostra për analiza laboratorike, nga të cilat, sipas autoritetit, nuk janë evidentuar raste jokonforme deri më tani. AKU thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.




