“Më keq do shkojë”, Elisa Spiropali pas përjashtimit nga grupi i PS: Ndjej faj që pushteti është ekstremisht i përqendruar në një dorë
Elisa Spiropali ka dalë sot në një konferencë për mediat, një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i PS-së.
E pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, për këtë largim, teksa i tha se është e para grua e përjashtuar nga PS-ja, Spiropali tha: “Jam e para grua në 35 vite që përjashtohem, po e marr si dekoratë këtë, meqë kam qenë dhe kryetarja më e re e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, dhe në këto dy skaje, mendoj se nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë, dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do kemi shumë për të parë ende. Këtë qëndrim e kam mbajtur edhe pak para protestave të flamengove.”
Ajo tha se ndjen përgjegjësi dhe faj për përqendrimin e qeverisë dhe pushtetit në një dorë, sipas saj, ndërsa shton se ndjen krenari për të shkuarën e saj.
“Kam dhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit, të konsoliduar ekstremisht në një dorë, të partisë, qeverisë dhe të pushtetit të një njeriu. Kjo është përtej Edi Ramës dhe raportit personal, por është në themel të asaj që nxori në rrugë ata flamengot. Ishte ajo nevojë për të nxjerrë në rrugë ata të rinj. Janë më të forta se mungesa e legjitimitetit dhe e besimit, dhe kur kjo mungon, s’ka rëndësi sa mandate ke, mund t’i kesh të gjitha. E ka treguar historia botërore që pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga respektimi i të drejtave.
Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time. Unë isha e para që reagova dhe një herë po e them, jo nga konvenienca politike, por se ashtu e ndjeva. Në atë moment, marrëveshja e re për Shqipërinë që unë propozova kishte elemente jo armiqësore për partinë time. Nuk dua të bëj parashikuesen, por më keq do të shkojë nëse ne nuk duam të reformohemi”, tha ajo
Mes të tjerash Spiropali kritikoi vendimin e përjashtimit të saj nga grupi parlamentar i PS, teksa shprehu se nuk kishte votim dhe se asaj nuk ju dha mundësia të shprehej. Ajo shtoi se disa kolegë kërkuan që ajo minimalisht të ishte prezente në mbledhje dhe të fliste.
“Aty u bë legjitimimi i një vendimi jo legjitim të një vendimi që u mor në Asamblenë kombëtare. A ishte rend dite ai votim? Nuk u bë votim, është marrë ky vendim. Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk u dha as kjo mundësi. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, le më veprime. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë e të duken bukur. Gratë kanë dhe qëndrime dhe kur qëndrimet nuk përputhen me qëndrimet e udhëheqjes, duhet të ketë diskutime. S’jam flamingo e parë, do ta kisha për nder, por flamingot janë një shprehje e kërkesës shoqërore për t’u ngritur në një nivel tjetër. As Koçi Xoxe nuk i bënte këto në mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që duhet të ishte aty. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që, më shumë se legjitimitet, ato shprehin arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve”, tha Spiropali.
Top Channel