Lajmet e rreme “pushtojnë” grupet e shqiptarëve në diasporë, si po keqpërdoren emrat e figurave publike për klikime dhe komente
Lajmet e rreme po vazhdojnë të jenë sfidë në gjithë botën, e kjo dukuri po i prek edhe shqiptarët.
Përfitimet përmes klikimeve ose, thjesht, për të nxitur njerëzit të komentojnë që të rritet aktiviteti i grupit/faqes, shumë persona, përmes mediave fiktive dhe jokredibile, krijojnë tituj, foto dhe përmbajtje tekstesh të pavërteta.
Ndonëse në Kosovë tashmë dihet se cilat janë mediat që, në bazë të punës së tyre, kanë krijuar besueshmëri te publiku, me “fake news” po përballen shqiptarët në diasporë.
Telegrafi ka bërë një vëzhgim në disa grupe të shqiptarëve në diasporë, si për shembull “Shqiptarët në Gjermani”, “Diaspora Shqiptare”, “Shqiptarët në Zurich” apo edhe “Shqiptarët në Mynih”, për të parë se çfarë publikohet aty, saktësisht, çfarë lajmesh postohen.
Nga vëzhgimi kuptohet se në këto grupe shpesh publikohen lajme dhe deklarata të rreme, ku në fokus janë figura nga politika dhe showbizi.
Për shembull, një lajm i ashtuquajtur i publikuar është edhe deklarata fiktive e Andrej Plenkoviçit lidhur me Ramush Haradinajn, e cila u shfaq në grupin “Shqiptarët në Mynih”, ndonëse në realitet, në asnjë media nuk gjendet ndonjë deklaratë e tillë e thënë nga kroati.

Në të njëjtin grup gjendet edhe një deklaratë që pretendohet se është e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së në përgjithësi, sipas së cilës Adem Jashari ka qenë “dora e serbit” në Kosovë.

Në grupin “Shqiptarët në Mynih” u publikua edhe një lajm për një sulm në një shkollë të mesme, ku pretendohej se janë lënduar 400 persona. Nga linku i lajmit nuk tregohet se në cilën shkollë dhe kur ka ndodhur sulmi i ashtuquajtur.
Në një kërkim në Google, një lajm i tillë nuk ekziston fare, shkruan Telegrafi.

Ndërsa cak i sulmeve me lajme të rreme dhe i propagandës ka qenë Vjosa Osmani, e cila në grupin “Shqiptarët/et në Zurich” ofendohet në forma të ndryshme, me akuza të pakonfirmuara deri më tani.

Në të njëjtin grup u publikua një foto me një titull për Xhavit Halitin, sipas të cilit ai ka marrë një ftesë nga Prokuroria Ndërkombëtare, duke lënë të nënkuptohet se ai po hetohet për ndonjë vepër të mundshme.
Kur klikohet lajmi, kuptohet se bëhet fjalë për diçka krejt tjetër. Pra, ideja e këtij titulli ka qenë që të nxiten komentet dhe të shahet personi në fjalë.

Mirëpo, jo vetëm personazhet nga politika përdoren për të krijuar lajme të rreme.
Edhe këngëtari Joz Marku ka qenë pre e një lajmi “fake”, sipas të cilit ai gjoja është rrahur me grushte, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, një fenomen tjetër që vërehet në këtë grup është edhe keqpërdorimi i ngjarjeve tragjike, ku pas ngjarjes publikohen versione të pavërtetuara dhe jepen deklarata të rreme, gjoja nga familjarët.
Pra, është shqetësuese se si shqiptarët në diasporë ngarkohen me lajme të pavërteta, të cilat publikohen në grupe ku mundësia për të postuar u jepet të gjithëve.
Prandaj, nga të gjitha instancat bëhet thirrje që shqiptarët kudo në botë të informohen vetëm nga mediat kredibile, pasi lajmet e rreme ndikojnë drejtpërdrejt në psikologjinë e tyre dhe nxitin panik./Telegrafi/




























