Elisa Spiropali e quan “dekoratë” të qenët e para grua në 35 vjet që përjashtohet nga një parti politike. Ajo thotë se tanimë sistemi elektoral është moçal politik dhe nuk ka më puls për nevojën e shoqërisë për më shumë përfaqësim.

Ajo shprehet se qëndrimet publike që ka mbajtur erdhën nga një analizë e gjatë se gjërat kanë ndryshuar. Më tej, pranoi përgjegjësitë e saj për krijimin e kësaj mënyre qeverisjeje e pushteti.

“Ti përmende historinë. Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin. Mendoj se do të shohim edhe shumë të tjera sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate. Këtë qëndrime kam mbajtur edhe para protestave të flamingove, për t’iu përgjigjur kohës për mënyrën si vepron pushteti dhe vendimmarrja. Kam folur për nevojën për reformim të sistemit tonë elektoral që tanimë është moçal politik, është në stanjacion të plotë të përfaqësimit politik. Këtu nuk pulson më nevoja e shoqërisë për më shumë përfaqësim.

Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, për ta kufizuar në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga një nevojë personale, di ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha e përgjegjësitë, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht. Në atë kohë shumë ngritën vetulla dhe pyetën nga erdhi kjo, ishte një analizë. E mbaj si dekoratë që jam përjashtuar. Pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu, kjo është përtej pushtetit të Edi Ramës dhe raportit personal. Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm. Kur kjo mungon, s’ka shtyllë që e mban në këmbë, s’ka rëndësi sa mandate”, tha Spiropali.


Lajmi kryesor:

Përjashtimi/ Elisa Spriopali: Vendime nul, s’pati votime! Betejën do ta bëj në PS, të largohen ata që kanë abuzuar me pushtetin