Komiteti Olimpik i Kosovës është ftuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare në një takim që do të zhvillohet më 3 dhe 4 dhjetor në Athinë të Greqisë.
Fokusi i këtij takimi do të jetë situata e krijuar dhe ngecjet në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, të planifikuara të mbahen në Kosovë.
Të lidhura
None found
Procesi i organizimit të kësaj ngjarjeje sportive po përballet me vështirësi, ndaj çështja do të shqyrtohet edhe në nivel ndërkombëtar.
Pas takimit në Athinë, përfaqësuesit e KOK-ut pritet t’ia paraqesin Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 përfundimet e diskutimeve dhe veprimet që duhet të ndërmerren në vijim.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka deklaruar se, pavarësisht pengesave, vazhdon të jetë i angazhuar për zhvillimin e kësaj ngjarjeje në Kosovë.
“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Takimi i planifikuar në kryeqytetin grek pritet të shërbejë për vlerësimin e gjendjes së përgatitjeve dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm për realizimin e projektit më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në Kosovë.






