
Elisa Spiropali ka komentuar raportin me Belinda Ballukun, e cila shpesh është cilësuar si rivalja e saj politike brenda Partisë Socialiste. Spiropali është shprehur se nuk e konsideron Ballukun si kundërshtare, por si viktimë të një modeli qeverisës, ku mungesa e kufijve në ushtrimin e pushtetit cenon integritetin.
Sipas saj, problematika nuk lidhet me emra të përveçëm, por me mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe funksionojnë institucionet. “Unë mendoj që pushteti korrupton absolutisht, pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës. Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet”, u shpreh Spiropali.
Ajo kërkoi mbajtjen e përgjegjësive politike, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të distancohet nga ky model dhe të mos rrezikojë trashëgiminë e saj politike. Spiropali deklaroi gjithashtu se socialistët janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe ndarja e pushtetit, ndërsa u kërkohet të mbrojnë vendime në të cilat nuk kanë qenë pjesëmarrës.
“Nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat. Në këtë pikë ne duhet të çrrënjosim këtë model, t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër. Pse duhet të vuajë PS që të thirret nën armë kur s’ka qenë fare pjesë e vendimmarrjeve? Socialistët janë tërësisht të përjashtuar nga ndarja e pushtetit”, deklaroi Spiropali.
Sa i takon PS-së, Spiropali tha se duhet të hapet gara pas 17 vitesh, dhe që të garohet për postin e kryetarit. ”Meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. A mundet të hapet gara në PS dhe të garohet me platforma? A ka bërë Edi Rama shumë për këtë proces? Patjetër që ka bërë”.
