Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë propozon 12 amendamente për Buxhetin 2027, kërkon më shumë fonde për arsimin dhe bujqësinë



Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente për Projektbuxhetin e vitit 2027, përmes të cilave kërkon ndryshime në financimin e arsimit, bujqësisë, shërbimeve të sigurisë dhe sektorit social. Propozimet u prezantuan nga sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi, dhe janë ndarë në katër paketa.

Në paketën “Rinia”, që përfshin pesë amendamente, kërkohet shtimi me 3 miliardë lekë i fondeve për arsimin e mesëm, me 2 miliardë lekë për arsimin universitar dhe me 2 miliardë lekë për shkencën dhe novacionin.

Për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Partia e Lirisë propozon një fond prej 167 milionë eurosh, me rreth 73 milionë euro shtesë për prodhimin bujqësor, blegtorinë dhe agroindustrinë. Në paketën “Made in Albania” përfshihen edhe 5.6 milionë euro për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe propozimi për të mos ndryshuar pragun e aplikimit të TVSH-së për biznesin e vogël gjatë vitit 2027.

Në paketën për emergjencat civile dhe sigurinë kërkohet rritje me 35% e pagave për zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë së Burgjeve. Propozimi parashikon që rritja të përfshijë edhe shpërblimet, orët shtesë dhe dietat, ndërsa për zjarrfikësit përmenden edhe angazhimet gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.

Dy amendamentet e paketës Sociale parashikojnë shtimin me 7.5 miliardë lekë të fondeve për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, si dhe me 3.5 miliardë lekë të fondit për Spitalin Onkologjik.

Gjatë deklaratës për mediat, Blushi kritikoi projektbuxhetin, duke pretenduar se ai nuk mbështet mjaftueshëm prodhimin vendas dhe sektorët socialë. Ai kundërshtoi gjithashtu kursin e këmbimit prej 96 lekësh për një euro, të përdorur në përllogaritjen e vlerës së buxhetit, duke argumentuar se kjo e rrit artificialisht shifrën e tij në rreth 10 miliardë euro. Sipas tij, kursi aktual është rreth 89 lekë për euro.