Në Vjenë u zhvillua një aktivitet me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe austriake, trupit diplomatik dhe personaliteteve nga vende të ndryshme.
Sipas një postimi në rrjete sociale, të ndarë nga Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, në takim morën pjesë Presidentja e Bundesratit të Austrisë, Christine Schwarz-Fuchs, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Evis Kushi, deputeti i Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Alin Stoica, si dhe kryetarët e bashkive të Gjirokastrës dhe Përmetit, Flamur Golemi dhe Alma Hoxha.
Sipas Velajt, një nga momentet e aktivitetit ishte pjesëmarrja e Presidentes së Bundesratit austriak, Christine Schwarz-Fuchs, Evis Kushit dhe dy kryetarëve të bashkive në interpretimin e këngëve shqiptare së bashku me Grupin Polifonik Argjiro, i ardhur nga Gjirokastra.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të përkujtimit të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vjenë, qytet i lidhur me zhvillimet historike që paraprinë shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912.













