Drafti, pas “djegies” së miliona eurove në inceneratorë, qeveria përparësi riciklimit të mbetjeve

Pas një dekade investimesh në inceneratorë, Shqipëria po përgatit rregulla të reja për menaxhimin e mbetjeve, duke i dhënë përparësi riciklimit dhe ripërdorimit, ndërsa djegia dhe depozitimi në landfill do t’u nënshtrohen kritereve më kufizuese. Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që parashikon përgatitjen për ripërdorim dhe riciklimin e të paktën 23% të mbetjeve bashkiake deri në vitin 2030 dhe 65% deri në vitin 2045.
Një nga dispozitat më të rëndësishme lidhet me planifikimin e investimeve publike për asgjësimin e mbetjeve. Autoritetet duhet të dimensionojnë kapacitetet vetëm për sasitë e mbetjeve që nuk mund të trajtohen në forma të tjera dhe të “shmangin krijimin e kapaciteteve të tepërta që cenojnë parandalimin, ripërdorimin dhe riciklimin”. Përdorimi i mbetjeve për prodhimin e energjisë do të lejohet vetëm pasi të jetë dokumentuar se përgatitja për ripërdorim dhe riciklimi nuk japin rezultatin më të mirë të përgjithshëm për mjedisin.
Djegia e mbetjeve nuk do të llogaritet në përmbushjen e objektivave kombëtarë të riciklimit. Nga procesi i incinerimit, vetëm metalet e ndara nga hiri dhe të ricikluara më tej do të përfshihen në këto objektiva. Projektvendimi përcakton gjithashtu se mbetjet e grumbulluara në mënyrë të diferencuar për riciklim nuk duhet të dërgohen për asgjësim, me përjashtim të tepricave që rezultojnë pas trajtimit. As kostot më të ulëta të asgjësimit nuk do të përbëjnë argument të mjaftueshëm për të anashkaluar riciklimin.
“Kostoja më e ulët afatshkurtër e një operacioni asgjësimi, mungesa e përkohshme e infrastrukturës ose mungesa e një tregu vendor nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme për të justifikuar zgjedhjen e një niveli më të ulët të hierarkisë”, përcakton dokumenti.
Rregullat prekin edhe tarifat e asgjësimit të mbetjeve. Autoritetet duhet të sigurojnë transparencën e tyre, duke marrë në konsideratë kostot e plota të investimit, operimit, mbylljes së impianteve, kujdesit pas mbylljes dhe ndikimeve mjedisore.
Sasitë e mbetjeve të pranuara për asgjësim do të auditohen dhe publikohen çdo tre vjet. Ministria propozon gjithashtu ndryshimin e metodologjisë së matjes së riciklimit. Grumbullimi apo transportimi i mbetjeve drejt impianteve të përpunimit nuk do të mjaftojë për t’i raportuar ato si të ricikluara. Sipas relacionit shoqërues, përmbushja e objektivave duhet të mbështetet në sasitë që plotësojnë kriteret metodologjike dhe “jo thjesht në sasitë e mbledhura, të transferuara ose të dërguara në impiante trajtimi”.
Viti 2026 do të shërbejë si bazë për matjen e progresit. Objektivi kombëtar i përgatitjes për ripërdorim dhe riciklimit do të rritet në 50% deri në vitin 2036, në 55% në vitin 2037 dhe në 60% në vitin 2040. Objektivat individualë të bashkive do të përcaktohen në varësi të kapaciteteve financiare, teknologjike dhe sasive të mbetjeve që krijojnë. Projektvendimi synon përafrimin e pjesshëm të legjislacionit shqiptar me direktivën europiane për mbetjet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









