114-vjetori i pavarësisë, Kosova dhe Shqipëria aktivitet të përbashkët në Prishtinë
Gjatë një aktiviteti të përbashkët në Prishtinë për Festën e Pavarësisë, ambasadori në largim i Shqipërisë Petrit Malaj deklaroi se Kosova ishte e pranishme në Vlorë 114 vjet më parë kur u ngrit flamuri. Ai përsëriti se Tirana do ta mbështesë Kosovën për integrimin e plotë në institucionet euroatlantike
“114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuqezi duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik, ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë. Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, tha Malaj.
Për presidenten e Kosovës Justina Shiroka-Pula flamuri kuqezi është simbol i gjithë kombit, duke kujtuar se 28 Nëntori është festë e katërfishtë, pasi përfaqëson Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se lufta e saj ishte e drejtë dhe për liri.
“Kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund të zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo”, u shpreh ajo.
Kryeministri Albin Kurti nënvizoi e Kosova është shtet i pavarur, por jo i shkëputur nga kombi shqiptar.
“Republika e Kosovës është më vete por jo e mos varur ndaj kombit shqiptar. Prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë. Por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, tha Kurti.
Kosova dhe Shqipëria kanë një agjendë të përbashkët me aktivitete festive që zgjasin deri më 6 dhjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




