Gjykata e Lartë la në fuqi sekuestrimin e 25 pasurive, Malltezi: Beteja ligjore vazhdon në Strasburg

Jamarbër Malltezi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi kërkesën e tij dhe të bashkëshortes, Argita Malltezi, për heqjen e sekuestros mbi 25 pasuri në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Malltezi deklaroi se çështja e sekuestrimit të pasurive është dërguar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ndërsa kundërshtoi vijimin e masës së sekuestros edhe tre vite pas vendosjes së saj.
“Ne e kemi në Strasburg. Këto janë në vijim, se Strasburgu të lë detyra dhe thotë që në çdo moment ti duhet të verifikosh, sepse nëse në momentin e parë ke deklaruar që shpejtësia ty të detyron të vësh në sekuestro, duhet të shohësh tani, 3 vite më pas, je në shpejtësi?”, u shpreh Malltezi.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë mbetet në fuqi sekuestroja e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme dhe e konfirmuar nga Apeli i Posaçëm.
Mes 25 pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani” përfshihen apartamente, llogari bankare dhe aksione në disa kompani.




