E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Putin kërcënon me sulme hakmarrëse, deklaratat e presidentit rus pas goditjeve të fundit ndaj rafinerive të naftës

Ukraina po zgjeron sulmet me dronë ndaj objektivave ruse, duke goditur edhe anijet që dyshohet se shërbejnë për transportin e pajisjeve ushtarake.

Pas sulmit ndaj anijes ruse Sparta II në Gjirin e Finlandës, presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi përfshirjen e Kievit, duke e cilësuar anijen një objektiv të ligjshëm ushtarak, për shkak të lidhjeve të saj me logjistikën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Anija u përfshi nga flakët pas goditjes me dronë, ndërsa ekuipazhi prej 16 personash u evakuua. Operacioni i shpëtimit u realizua me pjesëmarrjen e mjeteve detare finlandeze, estoneze dhe ruse. Më pas, anija u tërhoq drejt Shën Petersburgut.

Ndërkohë, Moska paralajmëron kundërpërgjigje. Presidenti rus Vladimir Putin akuzon Kievin se po vazhdon sulmet ndaj rafinerive të naftës, pavarësisht kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump për t’i ndalur ato.

Reklamë

“Ne shohim se regjimi i Kievit vazhdon të sulmojë objektet tona të përpunimit të naftës, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan për të mos kryer sulme të tilla. Autoritetet ukrainase po e injorojnë këtë këshillë. Në këtë drejtim, dua të theksoj se masat tona hakmarrëse janë të pashmangshme”, tha Putin.

Deklarata e Putinit vjen në një kohë kur sulmet ukrainase po shtrihen përtej vijës së frontit, duke përfshirë objektiva detare dhe infrastrukturore ruse. Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet për përhapjen e konfliktit edhe në rajonin e Detit Baltik, ndërsa aleatët evropianë të Kievit kërkojnë që operacionet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.