
Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë historinë e futbollit europian. Sulmuesi francez i Real Madridit ka arritur në kuotën e 77 golave në kompeticionet europiane, duke u ngjitur në vendin e gjashtë në renditjen e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave.
Një arritje që mori edhe më shumë vlerë në fitoren 5-1 të Real Madridit ndaj PSV Eindhoven, ku Mbappé ishte protagonist me dy gola, të realizuar në minutat 64 dhe 84.
Me këtë dygolësh, francezi ka lënë pas një emër të madh të historisë madrilene, Raúl González, i cili e mbyll renditjen me 76 realizime. Në moshën 27-vjeçare, Mbappé po konfirmohet si një nga golashënuesit më të frikshëm të futbollit europian.
Në krye të klasifikimit historik vazhdon të qëndrojë Cristiano Ronaldo, me 145 gola. Pas tij renditet Lionel Messi me 132 realizime, ndërsa podiumin e plotëson Robert Leëandoëski me 113 gola.
Më poshtë vijnë Karim Benzema me 92 gola dhe Harry Kane me 82, ndërsa Mbappé ndodhet tashmë në vendin e gjashtë me 77 realizime.
Diferenca me emrat që ka përpara nuk është e paarritshme. Francezit i duhen vetëm pesë gola për të barazuar Harry Kane, 15 për të kapur Benzeman dhe 36 për t’iu afruar Leëandoëskit.
Aventura europiane e Mbappé nisi që në moshën 18-vjeçare me fanellën e Monacos. Gjatë karrierës së tij në Champions League, sulmuesi ka shënuar 6 gola me skuadrën franceze, 42 me Paris Saint-Germain dhe 29 me Real Madridin, sipas shifrave të raportuara.
Francezi vjen gjithashtu nga një sezon ku ishte golashënuesi më i mirë i edicionit të fundit të Champions League.
Në moshën 27-vjeçare, Mbappé ka ende shumë vite përpara dhe ritmi i tij i jashtëzakonshëm i realizimeve e vendos gjithnjë e më shumë në diskutim mundësinë për të sfiduar rekordin historik të Cristiano Ronaldos.
