Erion Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës, ku do të japë dëshminë e tij për rrethanat e ngjarjes.
Vishkulli u plagos gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ku u godit në sy nga një plumb gome. Për shkak të dëmtimit të rëndë, ai u transportua për kurim në Itali, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale në përpjekje për të shpëtuar shikimin.
Dëshmia e tij pritet të hedhë dritë mbi hetimet që po zhvillon Prokuroria, për të zbardhur rrethanat e plagosjes dhe për të identifikuar efektivin që dyshohet se ka qëlluar ndaj tij.
Në kuadër të hetimeve janë administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, dokumentacioni mjekësor dhe të dhëna mbi efektivët që kanë qenë në shërbim gjatë protestës. Prokuroria po heton dyshimet për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare, ndërsa vijon puna për përcaktimin e përgjegjësive për plagosjen e 28-vjeçarit.













