Thirrjet e fundit të Sali Berishës për bashkimin e partive opozitare nuk janë gjë tjetër veçse një manovër taktike e tij për t’iu vjedhur votat.
Kështu është shprehur gazetari i njohur Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, ku analizoi situatën brenda kampit opozitar dhe përgatitjet për garat e ardhshme elektorale.
Sipas Mahmutajt, Berisha nuk synon një bashkim mes të barabartëve, por kërkon të vendosë gjithçka nën kontrollin e Partisë Demokratike dhe zyrës së tij.
“Unë nuk mendoj se Berisha e kuptoi që kandidati nuk mund të dalë vetëm nga zyra e tij. Ai thjesht po luan blofin. Berisha nuk kërkon bashkim të të barabartëve, por kërkon që t’i marrë nën PD. Pra, thjesht kërkon t’u vjedhë votat partive të tjera apo zonës gri për t’i kanalizuar te kandidati i tij,” u shpreh Mahmutaj.
Duke komentuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, gazetari theksoi se vendimet merren vetëm nga rrethi i ngushtë i Berishës.
“Berisha e ka paracaktuar emrin në mendjen e tij. Ai do t’ju bëjë thirrje për primare, thjesht do t’i telendisi ata kandidatët dhe intelektualët demokratë që marrin përsipër të garojnë, dhe në fund do të caktojë një person që s’është dëgjuar fare, mjafton të jetë besnik personal i tij dhe i familjes së ngushtë.”, tha ai.
Ai shtoi se me këtë strategji, pakënaqësia dhe përçarja mes demokratëve do të thellohet, gjë që sipas tij do të përkthehet në një rrjedhje të mëtejshme votash.
I pyetur mbi mundësinë e një koalicioni gjithëpërfshirës opozitar, Mahmutaj vuri në dukje se pengesa kryesore mbetet vetë figura e Berishës, me të cilin aleatët e vegjël hezitojnë të bashkëpunojnë.
“Krerët e partive të vogla janë shprehur qartë: mund të bëjnë çfarëdo lloj aleance, por jo nën Berishën. Askush prej tyre nuk shan demokratët apo PD-në, por inatin e kanë personalisht me Sali Berishën. Ai e ka kapur opozitën për fyti dhe nuk e lëshon.”, tha ai.
Në përmbyllje të intervistës në “Ora e Fundit”, Mahmutaj theksoi se me mënyrën se si po drejtohet forca kryesore opozitare, rezultati i saj rrezikon të tkurret edhe më shumë në kutitë e votimit, duke pamundësuar një presion real institucional ndaj mazhorancës në pushtet.