U plagos në protestë, Erjon Vishkulli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës studentore të 24 tetorit, është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të hetimeve për përdorimin e dyshuar joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë.
I riu u dëmtua gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit, pasi dyshohet se u godit në sy nga një plumb gome i qëlluar nga policia. Plagosja e tij është përfshirë në hetimin që ka nisur organi i akuzës për të zbardhur rrethanat e ndërhyrjes së efektivëve dhe mënyrën se si është përdorur forca ndaj protestuesve.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprat që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare. Hetimet synojnë të përcaktojnë nëse veprimet e punonjësve të Policisë kanë qenë në përputhje me ligjin dhe nëse është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar.
Në funksion të hetimit, janë administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë. Krahas tyre, organi i akuzës ka siguruar edhe kartelën mjekësore të 28-vjeçarit pranë Spitalit Universitar të Traumës.
Një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet edhe me dokumentacionin mjekësor nga Italia. Për shkak të dëmtimeve të rënda në sy, Vishkulli u transportua drejt këtij shteti, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në përpjekje për të shpëtuar shikimin.
Për këtë arsye, Prokuroria po bashkëpunon me autoritetet italiane për të siguruar dokumentacionin e plotë mjekësor të të riut, si dhe materialin e nxjerrë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, i cili pritet t’i nënshtrohet ekspertizës.
Këto materiale konsiderohen të rëndësishme për të përcaktuar natyrën dhe shkallën e dëmtimeve, si dhe për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave se si është shkaktuar plagosja gjatë protestës së 24 tetorit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



