
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka kërkuar ndryshimin e mënyrës së qeverisjes nga kryeministri Edi Rama, duke i bërë thirrje të marrë përgjegjësi për situatën aktuale.
Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, Spiropali kritikoi mënyrën se si po drejtohet qeveria, duke thënë se problemet nuk mund të zgjidhen përmes propagandës apo justifikimeve. Ajo kërkoi që Rama të mos mbrojë atë që e cilësoi si të pambrojtshme dhe të tregojë lidership.
“Edi Ramës i them sot, është domosdoshmëri që të ndryshojë mënyrën e qeverisjes ose të ikë, ose ta bëjë këtë punë si burrë, si udhëheqës, si lider dhe të mbajë përgjegjësi ose të lëvizë nga ai pozicion, të mos mbrojë të pambrojtshmen. Nuk bëhet kjo me propagandë, as me pasqyra, as duke normalizuar dhunën, arrogancën, por bëhet duke mbajtur përgjegjësi”, deklaroi ajo.
Spiropali tha se do të vijojë të ngrejë zërin në Kuvend dhe brenda Partisë Socialiste për të përfaqësuar, sipas saj, njerëzit që nuk janë përfshirë në vendimmarrje dhe që nuk ndihen të përfaqësuar.
Ajo shtoi se qeverisja është zëvendësuar nga menaxhimi i pushtetit dhe i kërkoi kryeministrit të tregojë përgjegjësi dhe të mos lejojë që situata të dëmtojë autoritetin e tij.