Milani po e shqyrton mundësinë e transferimit të Mateo Kovacicit për të mbuluar boshllëkun që mund të krijohet nga largimi i Luka Modricit në fund të sezonit të ardhshëm.
Kovacic, 32 vjeç, është i lidhur me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2027, por nuk pritet ta zgjasë kontratën. Në këto kushte, ai mund të kalojë te klubi kuqezi pa pagesë për kartonin.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të Milan Vibes, propozimi për afrimin e tij ka ardhur edhe nga vetë Modrici. Dy mesfushorët kroatë kanë një marrëdhënie të afërt, pasi kanë qenë shokë skuadre për disa vite te Real Madridi dhe në përfaqësuesen e Kroacisë, ndërsa kanë ndarë edhe dhomën e zhveshjes.
Ndërkohë, e ardhmja e fituesit të Topit të Artë për vitin 2018 mbetet ende e paqartë. Në moshën 41-vjeçare, Modric do të vendosë në përfundim të sezonit nëse do të qëndrojë në Itali, do të rikthehet te Dinamo Zagrebi apo do ta mbyllë karrierën profesionale.
Kovacici po konsideron largimin nga Manchester City për shkak të minutave të pakta në dispozicion. Në këtë sezon, ai është aktivizuar vetëm në tri ndeshje të Ligës Premier, ku ka regjistruar gjithsej 92 minuta.
Gjendja fizike dhe konkurrenca e fortë në repartin e mesfushës së skuadrës angleze kanë ndikuar në hapësirat e tij. Paraqitja e fundit e Kovacicit me Cityn daton më 4 nëntor, kur ai luajti shtatë minuta kundër Leipzigut në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti kroat ka përvojë në Serie A, pasi luajti për Interin nga janari i vitit 2013 deri në verën e vitit 2015. Më pas, ai u transferua te Real Madridi.
Gjatë periudhës së tij me klubin madrilen, Kovacici fitoi tri herë radhazi Ligën e Kampionëve.






