
Deputetja Elisa Spiropali ka deklaruar se ka vijuar komunikimin me kolegët e saj socialistë edhe pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Ajo tha se nuk e konsideron çështjen personale dhe se nuk kërkon që kolegët të mbajnë përgjegjësi për vendimmarrjen e marrë ndaj saj.
Në një prononcim për mediat, Spiropali e cilësoi përjashtimin si një akt arbitrar dhe të dhunshëm, duke argumentuar se vendimet duhet të mbështeten te e drejta dhe jo te forca.
“Kam komunikime me të gjithë kolegët. Nuk është personale. Edhe Taulantin e kam shok. Njerëzit që detyrohen të mbajnë ato qëndrime… Mua më vjen keq, sepse është forca ime politike, ndaj i lehtësoj ata nga përgjegjësia për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Është akt i dhunshëm, arbitrar, që nuk reflekton legjitimitet. Forca nuk buron nga arbitrariteti, por nga e drejta”, u shpreh ajo.
Spiropali mohoi gjithashtu raportimet për një kallëzim nga Drejtoria e Tatimeve ndaj saj, duke kërkuar që të mos përhapen informacione të pavërteta. Ajo u shpreh se administrata duhet të reformohet dhe se pushteti i saj nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
“Nuk ka kallëzim të Drejtorisë së Tatimeve. Mos përhapni tymnaja. Jam e hapur. Nuk duhet të përdoret pushteti i administratës, drejtësia është pushtet më vete”, deklaroi Spiropali.