AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Nga Kina në BE: Serbia, qendër e tregtisë së paligjshme të gazrave ftohës

BIRN, Voxeurop dhe IRPI gjurmojnë tregtinë e paligjshme të gazrave ftohës të dëmshëm, nga tregtarët online në Kinë, përmes Serbisë dhe deri në Bashkimin Evropian.

Aleksa TesicNikolija CodanovicngaAleksa TesicdheNikolija Codanovic
3 minutes më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 13 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
trade in refrigerants cover illustration
Ilustrimi: : Igor Vujcic/BIRN.

Tregtari iu përgjigj mesazhit në Facebook Marketplace në fillim të shtatorit. Me bazë në Bullgari, ai reklamonte shitjen e gazrave ftohës në tregun e zi.

I pyetur nëse mund të eksportonte drejt Serbisë, ai u përgjigj: “Njerëzit blejnë nga Serbia. Atje ka më shumë.”

Për ta theksuar këtë, ai shtoi: “Gjithçka vjen nga Serbia.”

Në bashkëpunim me Voxeurop dhe Projektin Italian të Gazetarisë Investigative, IRPI, BIRN kaloi disa muaj duke komunikuar me tregtarë të gazrave ftohës në Serbi dhe në vendet fqinje të Bashkimit Evropian: Bullgari, Rumani dhe Kroaci.

Ideja fillestare ishte të testohej gatishmëria e tregtarëve për të eksportuar drejt Serbisë. Megjithatë, bisedat zbuluan një prirje tjetër: tregtarët përpiqeshin t’i siguronin gazrat ftohës nga Serbia dhe më pas t’i shisnin në vendet e tyre.

Prej vitesh, Agjencia për Hetimin e Mjedisit, EIA, e ka identifikuar Serbinë si një nyje kyçe në tregtinë e paligjshme të gazrave ftohës, të cilët përdoren në kondicionerë, frigoriferë, sisteme ftohjeje dhe pompa termike.

Për shkak të pozicionit të saj gjeografik dhe zbatimit më të dobët të rregulloreve, Serbia përbën një pikë të përshtatshme hyrjeje për këto gazra dhe për shpërndarjen e mëtejshme të tyre, siç tregojnë të dhënat doganore.

Në Serbi ka një numër të madh teknikësh të paregjistruar të kondicionerëve, mekanikësh automjetesh dhe teknikësh të sistemeve frigoriferike, të cilët merren me gazrat ftohës.

Sipas ligjit, pa qenë të regjistruar, ata nuk mund t’i blejnë ligjërisht këto gazra. Për këtë arsye, ata i drejtohen tregut të gjerë të zi.

Ky investigim tregon se sa lehtë mund të sigurohen gazrat ftohës pa pasur një certifikatë, qoftë duke i porositur online nga jashtë vendit, qoftë duke i blerë në tregun vendas, përmes platformave të shitjeve dhe rrjeteve sociale. Njoftime të tilla mund të gjenden në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Shqipëri, Rumani dhe Bullgari.

Ndonëse Serbia është nënshkruese e Protokollit të Montrealit dhe Amendamentit të Kigalit, përmes të cilave është angazhuar të reduktojë konsumin e hidrofluorokarboneve, HFC, ajo ende nuk ka një impiant për magazinimin, riciklimin ose asgjësimin e gazrave ftohës.

Ekspertët dhe teknikët e shërbimit thonë se rrjedhja e gazrave ftohës nga sistemet e ftohjes është një problem që rrallëherë monitorohet, trajtohet apo kontrollohet. Këto gazra kontribuojnë në efektin serrë dhe përshpejtojnë ndryshimet klimatike.

“Serbia mund të jetë një vatër e madhe e këtij fenomeni”, tha Fionnuala Walravens, përgjegjëse për fushatën kundër tregtisë së paligjshme të gazeve të fluorinuara pranë Agjencisë për Hetimin e Mjedisit, EIA.

Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës për një intervistë.

Eliminimi gradual i pretenduar nuk po ndodh

seized goods photo by serbia custom service
Sekuestrimi i rreth 60 bombolave me gazra ftohës në vitin 2022, në pikën kufitare të Gradinës, mes Serbisë dhe Bullgarisë. Foto: Administrata Doganore e Serbisë.

Serbia ka marrë miliona dollarë nga Fondi Shumëpalësh për Zbatimin e Protokollit të Montrealit, një mekanizëm financiar i krijuar në vitin 1990 për të ndihmuar vendet në zhvillim të eliminojnë gradualisht substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit dhe hidrofluorokarbonet, HFC.

Megjithatë, kuotat më të fundit të importit, të alokuara për kompanitë, nuk tregojnë asnjë shenjë uljeje. Tregtia e paligjshme vazhdon, detyrimet për raportimin e konsumit të gazrave ftohës nuk përmbushen, këto gazra çlirohen në atmosferë dhe mirëmbajtja e sistemeve neglizhohet.

Sipas EIA-së, duke qenë se çmimi ligjor i gazeve të fluorinuara në Evropë është rritur me rreth 1,000 për qind gjatë dekadës së fundit, nxitja për kontrabandimin e tyre është jashtëzakonisht e madhe.

Ky investigim tregon se këto gazra kontrabandohen drejt Serbisë dhe prej saj drejt vendeve të tjera.

“Historikisht, kemi vënë re se sasi të mëdha vijnë nga Serbia”, tha Walravens. “Kjo ka shumë kuptim: mund të importosh gjithçka pa kufizime kuotash dhe vendi ndodhet në një pozicion ideal gjeografik, i rrethuar nga shtete anëtare të BE-së.”

Sipas Walravens, “krimi mjedisor ende nuk trajtohet në të njëjtin nivel me llojet e tjera të krimit: kriminelët mund të përfitojnë shuma të mëdha parash, me shumë pak gjasa për t’u kapur, dhe edhe kur kapen, dënimet janë shpesh minimale në krahasim me fitimet e realizuara.”

Të dhënat e doganave bullgare për sekuestrimin e gazrave ftohës tregojnë për raste të përsëritura të kontrabandës së tyre nga Serbia drejt Bullgarisë dhe, rrjedhimisht, drejt Bashkimit Evropian.

Rrugët më të përdorura kalojnë përmes pikave kufitare të Gradinës, Kalotinës dhe Vrska Cukës.

Që nga viti 2017, autoritetet bullgare kanë sekuestruar qindra bombola me deklarime të rreme ose të padeklaruara, si dhe tonelata hidrofluorokarbonesh, HFC, të fshehura në një kamion që zyrtarisht transportonte tekstile.

Vitin e kaluar, rojet kufitare rumune zbuluan 13 bombola me gazra ftohës të padeklaruara në një automjet me targa serbe, ndërsa në vitin 2018, zyrtarët doganorë gjermanë gjetën në Bavari dhjetë bombola njëpërdorimëshe me gaz R134a, me shënime në gjuhën kineze dhe serbe. Ato po transportoheshin pa dokumente që vërtetonin origjinën ose dokumentacionin doganor.

“Herë pas here, punëtorët tanë migrantë (serbë) që jetojnë jashtë vendit shfaqen dhe duan të transportojnë drejt Evropës”, tha një teknik shërbimi në Serbi. “Kjo ndodh një herë në vit; ata kanë dëgjuar se mund të fitojnë 20–30 euro për bombol.”

Një tjetër teknik, nga veriu i Serbisë, tha se bombolat kontrabandohen edhe drejt Hungarisë. “I fshehin në automjet”, tha ai.

Teknikët folën për BIRN me kusht që të mbetej anonim identiteti i tyre. BIRN ka vendosur gjithashtu të mos i identifikojë tregtarët me emër.

Në gusht të këtij viti, autoritetet kroate ngritën akuza ndaj një grupi prej pesë shtetasish kroatë dhe serbë për transportimin e paligjshëm të më shumë se 700 bombolave të mbushura me gaz ftohës nga Serbia drejt një magazine në kryeqytetin kroat, Zagreb, nga ku ato u shiteshin klientëve në Kroaci për një shumë totale prej të paktën 145,000 eurosh.

Slobodan Pejkovic, kryetar i Komitetit të Teknologjisë së Ftohjes pranë Shoqatës Serbe për Ngrohje, Ventilim dhe Kondicionim, KGH, tha se gazrat ftohës kontrabandohen shpesh nga Serbia drejt Kroacisë, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian që prej vitit 2013.

“Kroacia është pjesë e tregut evropian, ku zbatohen çmimet evropiane, ndaj kjo e bën kontrabandën një aktivitet fitimprurës”, tha ai.

Gjatë kontakteve të zhvilluara në mënyrë të fshehtë, disa tregtarë serbë pranuan të eksportonin gazra ftohës drejt BE-së.

“Mendoj se ekziston mundësia për t’i transportuar, por vetëm në sasi më të mëdha, 50 bombola ose më shumë, drejt Segedinit (Hungari)”, tha njëri prej tyre. “Megjithatë, më duhet të kontrolloj kostot dhe shpenzimet e transportit.”

Marzhe të larta fitimi

gradina border crossing photo by upwinxp wikimedia 1024x576
Pika kufitare e Gradinës, mes Serbisë dhe Bullgarisë, ku të dhënat e doganave bullgare tregojnë se konfiskimet e gazrave ftohës të kontrabanduar nga Serbia drejt BE-së janë të shpeshta. Foto: Upwinxp/Wikimedia.

Gazrat ftohës mund të importohen në Serbi edhe pa u deklaruar, në disa mënyra. Njëra prej tyre është porositja e drejtpërdrejtë nga tregtarët kinezë përmes platformave të njohura kineze të shitjeve online.

Sipas këtij hetimi, dhjetëra kompani në platformat Alibaba dhe Made-in-China ishin të gatshme të shisnin bombola njëpërdorimëshe me gazra ftohës, të cilat janë të ndaluara në BE që prej vitit 2007.

Në këto platforma kishte gjithsej rreth 1,500 njoftime për shitjen e gazeve HFC, ndërsa disa kompani të tjera ishin të gatshme t’i dorëzonin produktet pa kërkuar prova se blerësi zotëronte një kuotë importi ose një certifikatë për F-gazet, dokumente që zakonisht janë të detyrueshme.

“Gjenden në Serbi. Gjithçka vjen nga Kina”, tha një tregtar serb në Facebook Marketplace.

Shumë prej këtyre kompanive e kanë selinë në provincën Zhejiang, një rajon industrial në Kinën lindore.

Tregtarët ofronin gazra HFC me shumicë, me çmime që varionin nga rreth 5 deri në 15 dollarë për kilogram, për porosi prej afërsisht 1,000 bombolash. Në krahasim, në BE ose në Britani çmimi mund të arrijë deri në 60 dollarë për kilogram.

Disa teknikë shërbimi të regjistruar dhe persona të tjerë që merren me gazrat ftohës thanë gjithashtu se këto gazra hyjnë në Serbi nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.

Një teknik serb i regjistruar tha: “Në 90 për qind të rasteve, ajo që na vjen nga Kosova është një lloj gazi ftohës me cilësi të ulët, për të cilin nuk kërkohet certifikatë. Furnizuesit ofrojnë çmime të mira dhe janë shumë korrektë në biznes. Nuk e di se si e kalon gazrat kufirin; zakonisht këtë çështje e zgjidhin vetë.”

Në një platformë bullgare shitjesh, disa tregtarë pranuan të importonin ose të dërgonin bombola të mbushura me gazra ftohës drejt Serbisë. Një tregtar nga Severini, në Rumani, pranoi gjithashtu të kalonte kufirin dhe të dorëzonte në Kladova të Serbisë bombola njëpërdorimëshe të mbushura me gazra ftohës, ndërsa një tjetër në Slloveni konfirmoi se mund të organizonte transportin drejt Serbisë.

Pejkovic theksoi se, ndryshe nga shumë vende të BE-së, në Serbi lejohet importimi i ligjshëm i pajisjeve që përmbajnë gazra ftohës dhe se këto pajisje të përdorura shpesh importohen në vend nga BE-ja.

“Pajisjet po sillen në vend dhe nuk mendoj se po kryhen kontrollet e nevojshme”, tha ai.

“Teknikët serbë të gazrave ftohës dhe persona të tjerë që operojnë në këtë sektor janë organizuar për t’i blerë ose grumbulluar këto pajisje, për t’i transportuar në Serbi dhe për t’i shitur këtu, megjithëse pajisje të tilla duhet të importohen në Serbi vetëm pasi t’u jetë hequr sasia e gazit ftohës që përmbajnë.”

Trendet në qarkullimin ligjor të gazrave ftohës në Serbi

Në përputhje me rregulloret evropiane dhe ndërkombëtare, Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit e Serbisë vendosi kuota të kufizuara për importin e gazrave që dëmtojnë shtresën e ozonit. Një tregtar me shumicë i gazrave ftohëse deklaroi se “në vitin 2021 ose 2022, ministria u caktoi kuota kompanive që në atë kohë importonin gazra ftohës dhe këto kuota nuk kanë ndryshuar deri më sot”.

Nevena Aksic, projektuese e sistemeve të ajrit të kondicionuar, tha se kuota “duhet të reduktohet nga viti në vit, por kjo nuk po ndodh. Kur importoni pajisje që përmbajnë gazra ftohës dhe kërkoni lejen e nevojshme nga ministria, në leje thuhet se ministria nuk mban përgjegjësi”.

Të dhënat nga doganat serbe dhe Komisioni Evropian tregojnë se Serbia ka importuar ligjërisht mijëra tonë gazra ftohës gjatë periudhës 2021-2026, kryesisht nga Kina, me një vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.

Rritja më e madhe e importeve dhe konsumit u regjistrua në vitet 2022 dhe 2023, kur konsumi i HFC-ve, sipas të dhënave të UNEP-it, arriti në 8,45 milionë tonë ekuivalent CO₂, krahasuar me 1,82 milionë tonë në vitin paraardhës. Në vitet e fundit, ai ka mbetur në nivelin e rreth tre milionë tonëve ekuivalent CO₂.

Aksic thekson se të dhënat mbi konsumin real të gazrave ftohës, të raportuara pranë organizmave ndërkombëtarë, nuk janë përfaqësuese, pikërisht për shkak të ekonomisë informale dhe faktit se personat e certifikuar për trajtimin e gazrave ftohës nuk janë të detyruar ta informojnë ministrinë për sasitë që konsumojnë.

Gjenerata         Llojet specifike të gazrave            Statusi dhe efektet e dëmshme

CFC                     R11, R12, R113                              Të ndaluara për prodhimin dhe konsumin e ri sipas rregullave ndërkombëtare, me përjashtime të kufizuara. Janë shumë të dëmshme për shtresën e ozonit dhe kanë potencial të lartë të ngrohjes globale (GWP).

HCFC                 R22, R123, R141b, R142b              Janë në proces të eliminimit të plotë gradual. Dëmtojnë shtresën e ozonit dhe kanë gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm në ngrohjen globale.

HFC              R134a, R404A, R407C, R410A, R507A, R32         Nuk janë plotësisht të ndaluara, por prodhimi dhe konsumi i tyre po reduktohen gradualisht. Nuk dëmtojnë shtresën e ozonit, por shumë prej tyre kanë potencial të lartë të ngrohjes globale (GWP).

HFO                   R1234yf, R1234ze                                   Përfaqësojnë një gjeneratë më të re të alternativave, me vlera ndjeshëm më të ulëta të potencialit të ngrohjes globale (GWP). Në përgjithësi, nuk janë të ndaluara.

 

“Gjysma e Novi Sadit nuk ka certifikatë”

illustration photo by jose pachecoph pixabay 1024x576
Foto ilustruese: Jose Pachecoph/Pixabay.

Përveç importeve të padeklaruara dhe të paligjshme të gazrave ftohës në Serbi, këta gazra mund të kalojnë edhe nga kanalet e ligjshme në ato të paligjshme brenda vendit.

Të intervistuarit nga BIRN thonë se, përveç importuesve të paligjshëm, edhe disa importues të ligjshëm dhe tregtarë me shumicë të gazrave ftohës u shesin bombola personave që nuk kanë certifikatë ose i shesin rezervat e tyre kundrejt pagesave në para të gatshme.

Disa prej tyre theksuan problemin e bombolave të parimbushshme, të cilat, sipas vlerësimit të tyre, përbëjnë një nga fushat kryesore të abuzimit në tregun e gazrave ftohës.

Nevena Aksic, projektuese e sistemeve të kondicionimit në kompaninë Kalsea, tha se pikërisht këto bombola e bëjnë veçanërisht të vështirë gjurmimin e transaksioneve: “Me bombolat e parimbushshme, nuk e di se kujt ia ke shitur, çfarë sasie ke pasur, çfarë të është kthyer apo se ku ndodhet bombola jote.”

Ligji për Mbrojtjen e Ajrit në Serbi, i miratuar në qershor të vitit 2025, e ndaloi shprehimisht shitjen e gazrave ftohës në bombola të parimbushshme. E njëjta praktikë është e ndaluar në Bashkimin Evropian që prej vitit 2007.

Edhe kur një tregtar me shumicë i respekton rregullat dhe shet vetëm te persona të certifikuar, blerësi mund t’ua rishesë më pas gazin ftohës personave pa certifikatë, zakonisht teknikëve të paregjistruar të sistemeve të ftohjes, teknikëve të shërbimit të kondicionerëve dhe operatorëve të tjerë të ngjashëm.

“Gjysma e Novi Sadit nuk ka certifikatë”, tha një teknik i regjistruar i shërbimit të sistemeve të kondicionimit në qytetin e dytë më të madh të Serbisë. “Unë nuk u shes atyre; ata kryesisht i blejnë përmes njoftimeve të shitjeve, dhe në Novi Sad ka disa persona që i shesin, si edhe përmes Bosnjës… dhe nga Kosova… Këtë e kam dëgjuar, por nuk kam informacion të besueshëm… Ka njerëz që transportojnë mallra përtej kufirit dhe i sjellin në Serbi.”

Teknikët e regjistruar të shërbimit ankohen se operatorët e paregjistruar po ulin çmimet, pasi gazrat ftohës janë më të lirë në tregun e zi.

Vetëm personat që zotërojnë një certifikatë dhe kanë përfunduar trajnimin për trajtimin e gazrave ftohës mund t’i blejnë këto gazra nga shitësit me shumicë. Megjithatë, disa prej mbajtësve të këtyre certifikatave ua shesin gazrat ftohës personave të palicencuar. Këta janë kryesisht teknikë të paautorizuar të shërbimit të kondicionerëve dhe teknikë të paregjistruar të sistemeve frigoriferike, të cilët operojnë në ekonominë informale.

“Është një person që i shet pranë Parkut të Danubit dhe në Futog”, tha një teknik i sistemeve frigoriferike në Novi Sad. Parku i Danubit është një park urban në Novi Sad, ndërsa Futogu është një fshat aty pranë.

“Ai ushtron aktivitetin në një servis automjetesh”, tha tekniku. “Një herë në tre muaj, ai dërgon një mesazh masiv. Sigurisht, nuk lëshohen fatura dhe nuk ka asnjë dokumentacion, ndërsa unë nuk e di se nga i siguron. Të gjithë janë bombola njëpërdorimëshe, të markave kineze si Global dhe Whacool.”

Disa teknikë shërbimi thanë se kishin marrë oferta të shumta për t’i shitur gazrat e tyre ftohës në tregun e zi.

“Por, nëse dikush që ka certifikatë blen dy bombola, njërën për vete dhe tjetrën për personin që nuk ka certifikatë, ai po mbush xhepat e vet”, tha njëri prej tyre. “Hoqa dorë, sepse u shfaqën operatorë të paligjshëm dhe filluan të ulnin çmimet. Tani merrem vetëm me riparime, ventilatorë, pajisje elektronike dhe disa punë të vogla.”

Një tjetër u shpreh: “Do të doja të bëja gjithçka në mënyrë të ligjshme, por nuk është fitimprurëse.”

Një kërkim në platformat serbe të tregtisë zbuloi dhjetëra njoftime për shitjen e bombolave me gazra ftohës personave që nuk zotërojnë certifikatë. Këto përfshijnë si bombola të rimbushshme, ashtu edhe bombola njëpërdorimëshe të ndaluara, si dhe gjenerata më të vjetra të gazrave ftohës, të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për shtresën e ozonit, si R12 dhe R22, krahas përzierjeve të gazrave ftohës R404A, R407C dhe R410A.

Përveç gazrave ftohës, shiten edhe pajisje profesionale për nxjerrjen e gazrave ftohës nga pajisjet dhe bombolat, bombola bosh, peshore dhe artikuj të tjerë. Disa shitës deklaronin shprehimisht se nuk kërkohej certifikatë dhe se pranonin vetëm pagesa në para të gatshme.

Disa profile në një grup në Facebook, që bashkon teknikë vendas të shërbimit të kondicionerëve, u ofruan gazetarëve tanë gaz ftohës R22, më të vjetër dhe më të dëmshëm për mjedisin.

BIRN mori gjithashtu një informacion për një kompani pranë Zemun-it, një periferi e Beogradit, e cila, përveç pajisjeve të sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të ajrit (HVAC), merret edhe me rishitjen e gazrave ftohës në tregun e zi.

“Duhet të më thoni se me rekomandimin e kujt na kontaktuat, ose duhet të kërkoni nga ai teknik që të më kontaktojë”, shkruan ata në përgjigjen e tyre kur u kontaktuan.

Përveç gazrave ftohës, shiten edhe pajisje profesionale për nxjerrjen e gazrave ftohës nga pajisjet dhe bombolat, bombola bosh, peshore dhe artikuj të tjerë. Disa shitës deklaronin shprehimisht se nuk kërkohej certifikatë dhe se pranonin vetëm pagesa në para cash.

Disa profile në një grup në Facebook, që bashkon teknikë vendas të shërbimit të kondicionerëve, u ofruan gazetarëve tanë gazin ftohës R22, një gaz më i vjetër dhe më i dëmshëm për mjedisin.

BIRN mori gjithashtu një informacion për një kompani pranë Zemunit, një periferi e Beogradit, e cila, përveç pajisjeve HVAC (për ngrohje, ventilim dhe kondicionim të ajrit), merret edhe me rishitjen e gazrave ftohës në tregun e zi.

“Duhet të më thoni se me rekomandimin e kujt na kontaktuat, ose të kërkoni nga ai teknik që të më kontaktojë”, shkruan ata në përgjigjen e tyre pasi u kontaktuan.

Mungesë riciklimi

untitled design 1024x576
Njoftime online për shitjen e gazrave ftohës në Serbi, në bombola, pa kërkuar paraqitjen e certifikatës.

Një nga problemet më të mëdha në Serbi është mungesa e qendrave të riciklimit dhe vështirësia për të asgjësuar gazrat ftohës në mënyrë të kontrolluar.

“Duhej të ishte ndërtuar në Serbi një impiant ku këta gazra ftohës të shkatërroheshin”, tha Pejkovic. “Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë, kështu që tani, në praktikë, do të na duhej t’i dërgonim në qendrat evropiane që kanë impiante të tilla – të gjitha këto veprimtari dhe ndërhyrje janë të ndërlikuara dhe të kushtueshme.”

Teknikët e shërbimit thonë se, për një periudhë kohe, një qendër riciklimi në qytetin jugor të Nishit pranonte gazra ftohës, të cilët më pas i dërgonte në Evropë për t’u shkatërruar. Megjithatë, kjo nuk ndodh më.

Qendra e riciklimit ishte përfshirë në një proces gjyqësor me Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit për shkak të subvencioneve të papaguara. “Ministria na tha se duhej ta organizonim vetë magazinimin e tyre”, tha një anëtar i Unionit të Teknikëve të Autorizuar të Shërbimit.

Aksic vuri në dukje mosveprimin e organit kompetent të inspektimit, i cili monitoron vetëm sistemet e mëdha të ftohjes, dhe tha se ndërmarrjet publike nuk i nënshtrohen inspektimit.

“Sipas ligjit, në vendin tonë nuk kryhen inspektime për pajisjet që përmbajnë më pak se tre kilogramë gaz ftohës. Kjo është mjaft paradoksale”, tha ajo.

“Për shembull, të marrim një qendër klinike me 750 njësi kondicionimi, ku secila përmban, le të themi, 600 gramë gaz ftohës. Kjo do të thotë se në një objekt të vetëm kemi gjithsej 450 kilogramë gaz ftohës. Supozojmë se një në çdo tre kondicionerë pëson rrjedhje. Dhe askush nuk merret me këtë problem. Të gjithë merren vetëm me sistemet shumë të mëdha.”

Sipas ekspertëve, rrjedhjet e gazrave ftohës ndodhin më së shpeshti në sistemet e ftohjes që nuk funksionojnë, janë të konsumuara ose si pasojë e instalimit joprofesional, një dukuri mjaft e përhapur në Serbi.

“Kemi shumë pajisje të vjetra, veçanërisht kur bëhet fjalë për magazinat frigoriferike dhe disa ambiente prodhimi në industrinë e mishit dhe në të gjithë industrinë ushqimore”, tha Aksic.

“Këto janë pajisje mjaft të vjetra, të cilat përgjithësisht pësojnë konsumim të materialeve si pasojë e përdorimit. E gjithë kjo ndikon që diku të ndodhë degradimi i materialeve, gjë që është krejtësisht e pritshme.”

“Megjithatë, mirëmbajtja e rregullt dhe e përshtatshme mund t’i reduktojë ndjeshëm rrjedhjet. Nuk mund ta detyrosh dikë që ka blerë një pajisje para gjashtë vitesh që ta zëvendësojë atë, dhe as kjo rregullore nuk e kërkon një gjë të tillë”, tha ajo, duke iu referuar rregullores për trajtimin dhe importin/eksportin e gazrave serrë të fluorinuara, në kuadër të Ligjit të Serbisë për Mbrojtjen e Ajrit.

Ky artikull u mbështet nga Journalismfund Europe.

Etiketa: Bullgariagazra ftohësKina në BallkanMjedisiSerbia
trade in refrigerants cover illustration

Nga Kina në BE: Serbia, qendër e tregtisë së paligjshme të gazrave ftohës

13:29 | 25/11/2026
vfbxjvo 20261102161715111

Korrupsioni dhe kostoja e jetesës ushqejnë protestat kundër qeverisë në Shqipëri

07:50 | 25/11/2026
a 154 800x445

Ekonomia globale pas përfundimit të luftës në Iran

19:39 | 24/11/2026
Kryetarja e Kuvendit refuzon opinionin e Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës

Elisa Spiropali përjashtohet nga grupi parlamentar i PS

13:25 | 24/11/2026
protest trg slavija 22. dec voa

Lidershipi i ri i Serbisë s’do ta ndryshojë politikën e vjetër ndaj Kosovës

12:39 | 24/11/2026
Banorët e prekur nga tërmeti i varin shpresat te fushata elektorale

Programi i Rindërtimit zvarritet për vdekje në Bashkinë e Tiranës

07:32 | 24/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.