Mbesa e firmëtarit të parë të Aktit të Pavarësisë në Elbasan apel politikës mes lotësh: 28 Nëntorin ta festojmë së bashku

Heniereta Kungulli Fortuzi, mbesa e Haxhi Hafiz Sulejman Kungullit, firmëtarit të parë të Aktit të Pavarësisë në Elbasan, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që 28 Nëntori të festohet së bashku, pa ndasi politike.
Në prag të festave kombëtare, Kungulli Fortuzi shpreh shqetësimin për mënyrën se si organizohen ceremonitë e festimit, duke theksuar se edhe e majta, edhe e djathta duhet të jenë bashkë në nderim të flamurit kuqezi.
“Jam mbesa e firmëtarit të parë të Aktit të Pavarësisë në Elbasan. Çdo 25 Nëntor dhe 28 Nëntor vij dhe përulem me shumë respekt përpara këtyre burrave fisnikë të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë. Por unë kam një shqetësim që më mundon prej kohësh. Këtë festë e festojmë të ndarë, në një orar të majtët dhe në një orar të djathtët”, shprehet ajo.
Më tej, Kungulli Fortuzi mes lotësh i drejtohet drejtpërdrejt politikës shqiptare, duke kërkuar që festat kombëtare të mos kthehen në një tjetër arenë ndarjesh politike.
“I bëj thirrje politikës shqiptare, kjo është festë kombëtare, na përket të gjithëve. Dua që të jemi bashkë, si të majtë dhe si të djathtë. Gjithë populli shqiptar përkulet me respekt përpara flamurit kuqezi”, apelon ajo.
Mesazhi i mbesës së firmëtarit të Pavarësisë vjen si një thirrje për bashkim dhe reflektim, që 28 Nëntori të jetë një ditë që bashkon shqiptarët përtej bindjeve dhe përkatësive politike.




