Wednesday / November 25 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Kosova

Çmimet e importit dhe prodhimit rriten në Kosovë, shtrenjtimi vjetor arrin në 5.4 dhe 5.9 për qind

Share Share Icon

Çmimet e importit shënuan rënie tremujore prej 0.8 për qind, ndërsa ato të prodhimit u rritën për 1.2 për qind. Krahasuar me një vit më parë, të dy indekset regjistruan rritje dukshëm më të lartë.

Çmimet e mallrave që Kosova importon dhe atyre që prodhohen brenda vendit kanë vazhduar të shënojnë rritje në baza vjetore, duke reflektuar presionin e kostove në sektorin e tregtisë dhe industrisë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për tremujorin e tretë të vitit 2026, tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Importit u rrit për 5.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkaq, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi rritje vjetore prej 5.9 për qind.

Megjithatë, në krahasimin tremujor, zhvillimet ishin të ndryshme. Çmimet e importit shënuan rënie prej 0.8 për qind në TM3 2026, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa çmimet e prodhimit u rritën për 1.2 për qind.

Lëkura, mineralet dhe plastika prijës në shtrenjtimin e importeve

Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve të importit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i lëkurës dhe artikujve të saj për 34.4 për qind, produkteve minerale për 23.6 për qind dhe plastikës, kauçukut dhe artikujve të tyre për 10.7 për qind.

Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit, me 8.2 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 7.3 për qind dhe produktet e industrive kimike me 6.8 për qind.

Në anën tjetër, disa kategori kanë shënuar rënie të çmimeve. Ulja më e madhe është regjistruar te instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës, me 7 për qind. Rënie kanë pasur edhe produktet bimore për 3.8 për qind dhe vajrat ushqyese për 1.4 për qind.

Nëse krahasohet tremujori i tretë me të dytin, rritjet më të mëdha të çmimeve të importit janë regjistruar te artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit, me 5.9 për qind, plastika dhe kauçuku me 4.6 për qind dhe produktet minerale me 2.6 për qind.

Këto rritje janë neutralizuar pjesërisht nga rënia e çmimeve të instrumenteve optike dhe medicinale për 11.3 për qind, vajrave ushqyese për 2.7 për qind dhe lëkurës e artikujve të saj për 1.1 për qind.

Prodhimi shtrenjtohet për 5.9 për qind brenda një viti

Rritje edhe më e lartë është regjistruar te çmimet e prodhimit në Kosovë.

Sipas ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në TM3 2026 ishte 5.9 për qind më i lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rritjet më të mëdha janë regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me 32.2 për qind, prodhimi tjetër p.k.t. me 26.1 për qind, prodhimi i pijeve me 20.1 për qind dhe prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj me 15.5 për qind.

Shtrenjtim i konsiderueshëm është regjistruar edhe në nxjerrjen e xeherorit të metalit, me 11.4 për qind, si dhe në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, me 7.3 për qind.

Ndërkohë, përpunimi i produkteve ushqimore ka shënuar rritje prej 4.2 për qind, prodhimi i metaleve 3.6 për qind dhe prodhimi i mobilieve 3.1 për qind.

Rënie vjetore të çmimeve janë regjistruar te prodhimi i veshjeve, me 6 për qind, prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove me 3.6 për qind, si dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike me 1.5 për qind.

Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin paraprak, çmimet e prodhimit u rritën për 1.2 për qind.

Rritjet më të mëdha tremujore janë regjistruar te prodhimi tjetër p.k.t., me 14.8 për qind, nxjerrja e xeherorit të metalit me 11.3 për qind dhe energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 4.9 për qind.

Në të njëjtën periudhë, çmimet kanë rënë te prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove për 3.7 për qind, prodhimi i metaleve për 1 për qind dhe produktet minerale jo-metalike për 0.9 për qind.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Transferet bankare në Kosovë bëhen të menjëhershme, aktivizohet sistemi i ri i BQK-së

Sistemi i Pagesave të Shpejta (TIPS-K) ka nisur funksionimin, duke mundësuar transferimin e parave brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ...

2 days më parë 3 Min Lexim

Rriten shpenzimet për skema sociale në Kosovë, në tetor shkojnë mbi 82 mln euro

Shpenzimet për mirëqenien sociale në Kosovë u rritën për rreth 400 mijë euro krahasuar me shtatorin. Të dhënat tregojnë rritje të numrit të pension...

2 days më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!