Haaland në një betejë të pazakontë ligjore, një elektricist polak i ka “rrëmbyer” mbiemrin
Erling Haaland është përfshirë në një betejë të pazakontë ligjore që po zgjat prej tre vjetësh me një elektricist polak, i cili kishte regjistruar mbiemrin “Haaland” si markë tregtare në Bashkimin Evropian. Mosmarrëveshja tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së në Luksemburg.
Polaku, i cili punon në Norvegji, e regjistroi markën “Haaland” në vitin 2022 për veshje sportive, pajisje, pije energjike dhe një numër produktesh të tjera.
Problemi u zbulua një vit më vonë, kur sulmuesi i Manchester Cityt u përpoq të mbronte mbiemrin e tij dhe kuptoi se ai ishte tashmë i regjistruar si markë tregtare.
Avokatët e Haalandit pretendojnë se regjistrimi është bërë me keqbesim, me qëllim përfitimin financiar nga emri i njërit prej futbollistëve më të famshëm në botë. Elektricisti polak i mohon këto pretendime. Ai thotë se nuk kishte dijeni për Haalandin, pasi nuk e ndjek kombëtaren e Norvegjisë dhe as futbollin e huaj.
Haaland e fitoi raundin e parë të kësaj beteje. Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian (EUIPO) e shpalli të pavlefshëm regjistrimin e markës nga polaku, duke e konsideruar të pabesueshme që ai të mos kishte pasur dijeni për sulmuesin norvegjez.
Megjithatë, polaku e apeloi vendimin dhe tani çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Përgjithshme e BE-së në Luksemburg.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë. Gjykata e BE-së hodhi poshtë kërkesën e një portugezi, i cili pretendonte se e kishte regjistruar mbiemrin “Neymar” aksidentalisht.
Ndërkohë, Lionel Messi arriti të fitojë të drejtën për ta mbrojtur mbiemrin e tij si markë tregtare, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë ligjore./Telegrafi/

































