
Deputetja Elisa Spiropali pretendoi të mërkurën se përjashtimi i saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste u bë pa votim të rregullt dhe pa i dhënë asaj mundësi të dëgjohej, duke e konsideruar vendimin ‘nul’.
Në një konferencë për shtyp, ajo vuri në pikëpyetje legjitimitetin e vendimmarrjes në Asamblenë Kombëtare dhe në grupin parlamentar, ndërsa foli për përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarit të partisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Në Asamblenë e PS-së nuk kishte votim, një njeri merr të gjitha vendimet,” tha Spiropali, duke shtuar se “partia nuk është një njeri…”
Ajo kritikoi mazhorancën për mbyllje të hapësirës për mendim ndryshe dhe paralajmëroi se situata në partinë në pushtet do të shkojë më keq nëse nuk pranon reformimin që ajo ka kërkuar.
Vendimi për përjashtimin e saj u mor të martën në një mbledhje me dyer të mbylluara të grupit parlamentar, që sipas kryetarit Taulant Balla, njohu një vendim politik të mëparshëm të Asamblesë së partisë.
Ishte kryeministri dhe kryetari i kësaj partie, Edi Rama që inicioi përjashtimin e saj pasi Spiropali kritikoi qeverisjen dhe kërkoi reformim pasi u shkarkua në mënyrë të beftë nga posti i ministres së Punëve të Jashtme.
Spiropali e lidhi përjashtimin e saj dhe me elementë gjinorë, duke thënë se ishte e para grua që merrte këtë ndëshkim politik.
“Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty ku ka fushatë e të duken bukur,” u shpreh ajo ndër të tjera.
Pavarësisht vendimit politik të strukturës së grupit, Spiropali deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste dhe se betejën politike do ta zhvillojë brenda saj, ndërsa paralajmëroi se do të sfidonte Ramën në një garë për kryetar të kësaj partie.
Spiropali u përfshi në politikë në vitin 2009 dhe e ndërtoi profilin e saj publik si mbështetëse e flaktë e Edi Ramës. Kritikat e saj ndaj qeverisjes kanë tërhequr vëmendjen në një ambjent politik të kontrolluar nga kryetari i partisë dhe bindja uniforme e deputetëve.
Marrëdhëniet mes Ramës dhe Spiropalit u krisën në shkurt, pas shkarkimit të beftë të saj nga posti i ministres së Jashtme. Në një intervistë televizive, Spiropali e lidhi këtë me mungesën e saj në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut- ku Partia Socialiste u rreshtua në mbrojtje të saj ndaj një kërkese për arrest nga Prokuroria e Posaçme.
Kur “Revolucioni I Flamingove” ishte në kulmin e vet, Spiropali bëri thirrje për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke argumentuar se forca politike në pushtet duhet t’i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe vetëpastrimi për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes.
Por platformat e saj politike për të nxitur debat politik brenda partisë në pushtet nuk u morën parasysh nga strukturat partiake.






