Buxheti i shtetit për vitin 2027 kap për herë të parë nivelin e mbi 10 miliardë eurove në shpenzime, me fokus mbështetjen sociale, pensionistët, familjet e reja dhe investimet publike.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka zgjedhur një mënyrë simbolike për të prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm, përmes 10 kubave, ku secili përfaqëson një miliard euro.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai u ndal te prioritetet e financimit, duke vënë në qendër mbështetjen për kategoritë që kanë më shumë nevojë.
“Buxheti këtë herë e shpjegojmë me 10 kuba. buxheti 2027 me vlerë 10 miliardë euro është buxheti më i madh i të gjitha kohërave në Shqipëri. Të supozojmë që çdo kub përfaqëson nga një për çdo miliard euro. 3 kuba ose 3 miliardë euro shkojnë për mbrojtjen sociale ku përfshihen pensionet, ndihma për familjet në nevojë, bonusi i bebeve si dhe ndihma që do tju japin studentëve që vijnë nga familjet në nevojë”, tha Malaj.
Dy kuba, vijoj ai, ose dy miliardë euro do të shkojnë për investimet publike rrugë, shkolla, spitale; ujësjellësa e kanalizime. Gjithashtu 2 miliardë euro shkojnë për shëndetësinë dhe arsimin, nga ana tjetër 1 miliardë euro do të shkoj për mbrojtjen dhe sigurinë dhe ushtrinë. 1 miliardë euro tjetër shkojnë për bashkitë në të gjithë territorin e vendit dhe 1 miliardë euro të fundit nga 10 do të shkoj për fermerët, artin, kulturën dhe sportin.
Malaj tha se, “kjo është mënyra si e kemi ndërtuar pr/buxhetin 2027, që synon të ndërtoj një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë, për prindërit tanë. Një buxhet që synon një mbështetje më të madhe sociale për gjyshërit, por dhe për ata që kanë nevojë. Qëllimi ynë që të ndërtojmë një Shqipëri sa më europiane”.
Projektbuxheti 2027, i miratuar në parim më 18 nëntor, pritet të votohet përfundimisht në Kuvend më 26 nëntor, në seancën plenare që nis në orën 10:00. Krahas tij, deputetët do të shqyrtojnë edhe paketën fiskale, e cila përmban ndryshime në pesë ligje tatimore.


