Një investitor anonim ka kthyer 3.4 milionë dollarë në rreth 315 milionë dollarë, falë një basti financiar mbi aksionet e kompanisë Nvidia, pak para rikthimit të Jensen Huang në krye të kompanisë. Operacioni ka rikthyer dyshimet për përdorimin e informacionit të brendshëm në Wall Street dhe ka ngritur pikëpyetje mbi lidhjet mes politikës dhe tregjeve financiare në epokën Trump.
Të premten e kaluar, pak para mbylljes së bursave në Wall Street, një investitor ende i paidentifikuar vendosi një porosi të madhe për blerjen e instrumenteve financiare derivative, të cilat i jepnin të drejtën të blinte aksione të Nvidia-s për 3.4 milionë dollarë të hënën.
Ditën tjetër të tregtimit në tregjet amerikane, pas rikthimit të Jensen Huang në pozicionin e drejtorit ekzekutiv (CEO) të Nvidia-s, investimi i tij regjistroi një fitim prej rreth 9,000 për qind.
Me fjalë të tjera, investitori misterioz arriti të përfitonte rreth 312 milionë dollarë brenda vetëm dy seancave të tregtimit, pasi kishte investuar fillimisht 3.4 milionë dollarë. Një lëvizje që ngre pikëpyetje për sigurinë me të cilën është kryer ky investim, sikur personi në fjalë ta dinte paraprakisht se Nvidia do të rikthente Huang në krye të kompanisë.
Trump dhe Huang
Meqë roli vendimtar i Donald Trump në rikthimin e Huang tashmë është pranuar si nga bordi drejtues i kompanisë, ashtu edhe nga vetë presidenti amerikan, fitimi i jashtëzakonshëm i investitorit anonim rikthen në vëmendje një çështje që është ngritur shpesh vitet e fundit: A po ndikohet tregu financiar amerikan, veçanërisht gjatë presidencës Trump, nga tregtimi përmes informacionit të brendshëm (insider trading)?
Trump flet, tregjet reagojnë
Nuk është hera e parë që lindin dyshime të tilla.
Në prill të vitit të kaluar, vetë Trump deklaroi se ishte një “moment i shkëlqyer për të blerë” aksione, vetëm pak orë përpara se të njoftonte pezullimin e përkohshëm të tarifave doganore të ashtuquajtura “Liberation Day”, të cilat kishin shkaktuar rënie të fortë të bursave.
Vetë Trump kishte blerë aksione me vlerë 12.8 milionë dollarë një ditë përpara njoftimit, i cili shkaktoi një rikuperim prej 9 për qind të indeksit S&P 500, treguesit kryesor të bursës së New York-ut.
Ndërkohë, një analizë e BBC-së kishte evidentuar se indeksi S&P 500 kishte shënuar një rritje të pazakontë më 9 prill, vetëm pak minuta përpara se Trump të njoftonte tërheqjen nga tarifat doganore.
Dyshimet më të fundit
Dyshime të reja u ngritën edhe në mars të vitit 2026, në të paktën dy raste, kur investitorë anonimë blenë në sasi të mëdha kontrata të së ardhmes (futures), duke vënë bast për uljen e çmimit të naftës.
Menjëherë pas këtyre transaksioneve, Trump njoftoi lëvizje politike që sinjalizonin një ngadalësim të luftës kundër Iranit, duke shkaktuar rënien e çmimit të naftës bruto.
Investime të ngjashme të dyshimta janë vërejtur edhe në tregjet e parashikimeve (prediction markets), ku bëhen baste për ngjarje të ardhshme. Një prej rasteve u regjistrua pak përpara largimit nga pushteti të diktatorit venezuelian Nicolas Maduro, në fillim të këtij viti.
Kështu funksionojnë marrëdhëniet mes politikës amerikane dhe tregjeve financiare në epokën e Donald Trump dhe Jensen Huang: dy botë që, pavarësisht se në dukje janë të ndara, po ndërthuren gjithnjë e më shumë. /Corriere della Serra/
© SYRI.net