
Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë të dhënë ndaj anëtarëve të grupit kriminal të drejtuar nga Leonard Duka, i akuzuar për vrasjen e ish-oficerit të policisë Santiago Malko më 27 gusht të vitit 2019.
Në Shkallën e Parë u shpallën fajtorë pesë nga gjashtë të pandehurit, ndërsa Erlis Duka, vëllai i Leonard Dukës, u gjet i pafajshëm. Apeli vlerësoi ndryshimin e vendimit për këtë pjesë, duke e deklaruar të pandehurin Erlis Duka fajtor për veprat penale “Vrasja me paramendim, në bashkëpunim të veçantë, në formë të grupit të strukturuar kriminal”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, duke e dënuar atë përfundimisht me 28 vjet burgim.
Megjithëse Apeli ka bërë ndryshim të pjesshëm në përcaktimin e dispozitës mbi të cilën është disponuar për dënimin e të pandehurit Leonard Duka, ka lënë në fuqi masën përfundimtare ndaj tij, me 30 vjet burgim. Po ashtu, janë lënë në fuqi dënimet e katër të pandehurve të tjerë, Fatmir Hyseni (Musai), Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga, me nga 25 vjet heqje lirie për secilin.
Për vrasjen e Santiago Malkos janë dënuar më parë në një tjetër proces, Blendi Teta me 25 vjet burg dhe Ilir Selmani me 26 vjet. Leonard Duka 39 vjeç, u ekstradua nga Belgjika në gusht të vitit 2024. Ai dyshohet si i përfshirë në konfliktet mes grupeve kriminale në Tiranë, në lidhje me atentatet ndaj Ervis Martinaj në bashkëpunim me Durim Bamin dhe Endrit Doklen. Ervis Martinaj u zhduk pa gjurmë në gusht 2022.






