Lirohen 15 nga 30 personat e marrë peng në një supermarket në Kolumbi, autorët kërkojnë 2 milionë $
Një situatë e rëndë pengmarrjeje u regjistrua në qytetin turistik të Kartagjenës, në Kolumbi, ku persona të armatosur morën peng klientë dhe punonjës të një supermarketi të rrjetit Éxito, pas një tentative të dështuar për grabitjen e një automjeti të blinduar që transportonte para.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, autorët fillimisht morën peng rreth 30 persona. Pas negociatave me autoritetet, pesë prej tyre u liruan fillimisht, ndërsa më pas u liruan edhe 10 të tjerë. Mes personave të liruar kishte disa gra të moshuara.
Ngjarja ndodhi të martën, më 24 nëntor, në lagjen La Castellana të Kartagjenës, një prej destinacioneve më të njohura turistike të Kolumbisë.
Sipas presidentit kolumbian, Abelardo de la Espriella, personat e armatosur dhe të maskuar u futën në supermarket pasi dështuan në përpjekjen për të grabitur një automjet të blinduar që transportonte para. Alarmi i sigurisë dhe kamerat e automjetit kishin njoftuar policinë, duke bërë që autorët të largoheshin dhe të strehoheshin në supermarket.
Presidenti i cilësoi autorët si kriminelë të zakonshëm, duke përjashtuar përfshirjen e grupeve të armatosura guerile apo organizatave paramilitare.
🚨🇨🇴 LO ÚLTIMO | CARTAGENA está siendo atacada por hombres armados que secuestraron un éxito completo. Lo que piden: 7.000.0000 mil millones de pesos, 2 camionetas polarizadas y vía libre en transcaribe con dirección a Barranquilla. https://t.co/PATTVuqVeo
— Reacción Nacional (@RNacional_News) November 24, 2026
Mobilizohen rreth 500 efektivë, dyshime për kërkesë për shpërblim
Sipas mediave kolumbiane, rreth 500 efektivë të policisë dhe forcave të armatosura u angazhuan në operacionin për menaxhimin e situatës. Në zonë mbërritën edhe përforcime nga njësitë speciale të policisë.
Autoritetet vendosën si përparësi mbrojtjen e jetës së pengjeve. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin persona që largoheshin nga ambientet e supermarketit, ndërsa në video të tjera të regjistruara më herët shiheshin disa prej pengjeve me duart e lidhura.
Ndërkohë, mediat lokale raportuan se autorët mund të kërkonin një shumë prej 7 miliardë pesos kolumbiane, rreth 2 milionë dollarë, dy automjete të blinduara dhe kalim të lirë drejt qytetit të Barranquillas. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Një prej grave të liruar, 66 vjeçe, e përshkroi përvojën si veçanërisht të frikshme, por tha se autorët nuk kishin ushtruar dhunë ndaj pengjeve.
“Qeveria duhet të marrë masa për sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, familjarët e personave që mbeteshin brenda supermarketit shprehën shqetësim për fatin e tyre, duke thënë se nuk kishin informacion për atë që po ndodhte në ambientet e brendshme.
Policia Kombëtare e Kolumbisë hodhi poshtë raportimet për persona të plagosur brenda supermarketit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos shpërndanin informacione të pakonfirmuara.
Pezullohen përkohësisht uljet në aeroportin e Kartagjenës
Operacioni i forcave të sigurisë ndikoi edhe në funksionimin e aeroportit ndërkombëtar Rafael Núñez të Kartagjenës, ku uljet e avionëve u pezulluan përkohësisht. Kufizimi zgjati rreth 45 minuta, përpara se aktiviteti të rikthehej në normalitet.
Ngjarja u zhvillua në një periudhë tensionesh të shtuara të sigurisë në Kolumbi, ku vendi është përballur me një valë sulmesh nga grupe të armatosura kundër objektivave qeveritare. Megjithatë, autoritetet nuk kanë vendosur ndonjë lidhje mes këtyre sulmeve dhe pengmarrjes në supermarket.
Australia miraton ligjin e ri për sigurinë online, gjoba miliarda dollarëshe për gjigantët e teknologjisë
SHBA planifikon tarifa të reja ndaj Kinës, BE-së dhe 12 partnerëve të tjerë tregtarë
Majorja ukrainase: NATO të mësojë nga fronti në Ukrainë, metodat e vjetra s’funksionojnë më
- 16:26 Australia miraton ligjin e ri për sigurinë online, gjoba miliarda dollarëshe për gjigantët e teknologjisë
- 16:21 Vrasja e Arlinda Zekajt, nga një muaj paraburgim vjehrrës, kunatit dhe dy të tjerëve
- 16:14 Rrahmani, një nga heronjtë e Napolit në përballjen me Cityn
- 16:12 SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit
- 16:06 Eskalon situata në Kuvendin e Mitrovicës: Konflikt fizik mes drejtorit dhe asamblistëve të PDK-së
- 16:05 Regional Challenge Fund financon 10 projekte të reja në Shqipëri për zhvillimin e aftësive profesionale