Transporti publik në protestë kundër paketës fiskale, pezullohet shërbimi në orët para seancës së nesërme plenare
Instituti i Gjeoshkencave ka dhënë alarmin për përkeqësimin e kushteve atmosferike ditën e nesërme, ku një pjesë e madhe e territorit të vendit pritet të përfshihet nga reshje intensive deri në shumë intensive shiu, të shoqëruara me shtrëngata.
Sipas parashikimit të IGJEO-s, situata më problematike pritet të paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku reshjet do të jenë shumë intensive. Ndërsa në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Reshje intensive priten edhe në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Instituti paralajmëron se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave.
Probleme me përmbytje të lokalizuara mund të shfaqen edhe në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Reshjet pritet të sjellin gjithashtu rritje të prurjeve në disa prej lumenjve kryesorë dhe të mesëm të vendit, konkretisht në Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Sa i përket temperaturave, ditën e enjte ato pritet të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë Celsius në zonat malore.
Edhe era do të jetë një tjetër element i motit që kërkon vëmendje. Ajo parashikohet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat bregdetare do të jetë e fortë deri shumë e fortë.
Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme, reshjet pritet të jenë kryesisht të dobëta, deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata.
Përkeqësimi i ndjeshëm i motit gjatë ditës së nesërme kërkon kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore, pranë lumenjve dhe në zonat urbane ku ekziston rreziku i grumbullimit të ujit.
Top Channel