Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk e ka marrë këtë status, ndonëse aplikimin për anëtarësim në BE e ka dorëzuar para gati katër vjetësh.

Ai ka theksuar se Kosova nuk po kërkon privilegj apo favor, por njohjen e përparimit të saj në demokraci, zhvillim ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

“Ne jemi i vetmi vend që nuk ka marrë ende statusin e vendit kandidat. Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Ne thjesht po kërkojmë që të vlerësohet dhe të njihet përparimi i Kosovës në aspektin e avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive qytetare”, ka deklaruar ai.

Kreu i Qeverisë ka thënë se çështja e statusit kandidat është bërë urgjente dhe se pret që Këshilli Evropian, në takimin e 14 dhe 15 dhjetorit, t’i kërkojë Komisionit Evropian të japë një opinion për Kosovën.

Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike, duke bërë të ditur se në gjysmën e parë të vitit 2026 ajo ka arritur në 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Ai ka kërkuar gjithashtu zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave dhe mundësimin e lëvizjes së studentëve dhe profesionistëve në rajon.

Duke folur për sigurinë dhe sundimin e ligjit, Kurti ka kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si organizatorin kryesor të sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023.

“Sa i përket sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nevojitet që Serbia ta arrestojë dhe ta dorëzojë terroristin kryesor, Milan Radoiçiq, i cili, së bashku me 44 bashkëpunëtorët e tij paramilitarë, i zuri pritë dhe e vrau rreshterin Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023, gjatë mandatit të ish-presidentit të Serbisë, z. Vuçiq. Ai ka vazhduar të lëvizë i lirë në Serbi, madje duke qenë më i afërt me ish-presidentin Vuçiq sesa vetë pjesëtarët e truprojës së tij. Shpresojmë që kjo të ndryshojë tani. Duhet ta mbrojmë shoqërinë nga kriminelët. Në të njëjtën kohë, duhet t'i zbatojmë vlerat e Bashkimit Evropian dhe jo ta shohim atë vetëm përmes interesave të përbashkëta”, ka deklaruar Kurti në Bruksel.