
Dhjetë ditë më parë, kur ti vendose t’i bashkoheshe mbretërisë së qiellit, nuk gjeta fjalë ngushëllimi për nënën tënde dhe për gjyshin, që nuk i mbante dot lotët. Ti përpiqeshe të qëndroje në jetë dhe mjekët e Spitalit të Traumës bënë çmos për ty, e na e mbajtën gjallë shpresën. Sot, kur ti tashmë je atje ku zgjodhe vetë, nuk munda të hesht për dhimbjen që më kafshoi në shpirt dhe për lotin që nuk e mbajta dot.
Sot, më 25 nëntor 2026, lagjia ku nëna jote kaloi fëmijërinë dhe vitet e vajzërisë u gdhi me lajmërimin e kobshëm të lamtumirës sate. I them burrë vetes, por nuk i mbajta dot lotët, edhe pse nuk të njoha. Ike kaq shpejt, vetëm 14 vjeç, sepse deshe të ikje, edhe pse ne deshëm që ti të qëndroje ende mes nesh dhe bëmë të pamundurën për këtë.
Edhe pse ne nuk ishim gati që ti të ikje atje ku përjetësia të vë krahë të bardhë dhe drita e pashuar ia tregon udhën shpirtit, ti ishe e vendosur të ikje. Dhe ike.
Të ikje nga kjo botë që nuk të lë të kesh ëndrra, nga kjo e sotme që nuk e dëgjon zërin tënd, nga kjo e tashme që e ka të pamundur t’i japë dritë diellit të shpirtit tënd, që nuk e ndien prekjen tënde e nuk e pranon dashurinë tënde të pastër, nga kjo botë që verbohet në sytë e tu të kthjellët.
Ike, Mishel, sepse kështu deshe. Ike duke lënë pas shumë zemra të thyera, sy në lot, dhimbje që dhembin, por edhe mësime se si të jemi prindër më të mirë, të jemi miq më të sinqertë, të jemi dashuri më të pastra e ta bëjmë botën të denjë edhe për engjëj si ti.
Ndoshta ikja pa lamtumirë ishte dëshira jote e fundit, një dëshirë që nuk ishim gati ta pranonim. Por ti ishe e vendosur të merrje atë që doje dhe na e more me pahir, si gjënë e fundit që mund të merrje nga kjo botë.
Ike duke na lënë ne të dënuar me jetë dhe të ndëshkuar me mësimet e këtij pësimi tragjik. Ike, ike kaq shpejt dhe kaq papritur, pa pyetur për zemrat që ti theve, për shpirtrat që ti lëndove, për botën që nuk të meritoi.
Lamtumirë, Mishel!
Lamtumirë shpirtit tënd të bukur, që ne nuk ishim gati ta kuptonim e ta pranonim në të gjitha nuancat e ngjyrave dhe të dritës që ti le në këtë foto lamtumire, në këtë ikje të parakohshme.
Ndoshta do të ishte më mirë të rrije ende mes nesh, por ti zgjodhe të ikje. Dhe ike lart në qiell, atje ku drita e shpirtit tënd do t’i bashkohet shkëlqimit të diellit, diellit që do të lajmërojë ardhjen e çdo dite. Me çdo agim, çdonjëri prej nesh, duke falënderuar Zotin, i përulet edhe madhështisë së shpirtrave të pastër si i yti, që ikën, ikën pa pranuar ta humbnin shkëlqimin në errësirën e kësaj bote.
Mishel, engjëjt i përkasin mbretërisë së qiellit dhe ti zgjodhe të ishe një engjëll krahëbardhë që nisi fluturimin dhjetë ditë më parë për të mbërritur sot në qiell! /Nga Albert VATAJ, publikuar në Facebook/
Ky dedikim i kushtohet 14-vjeçares, Mishel Pelari (Ndokaj), e cila u hodh nga kati i 6-të, i pallatit ku banonte në zonën e Astirit në Tiranë, 10 ditë më parë, siç mund të jeni njoftuar edhe nga media. Edhe pse mjekët e Spitalit të Traumës, në një terapi intensive, tentuan, por pa sukses ta mbanin në jetë.




