Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për interesat amerikane, duke theksuar se investitorët nga SHBA kërkojnë garanci për zbatimin e barabartë të ligjit dhe konkurrencën e ndershme.
Gjatë një seminari të organizuar nga SPAK për përdorimin e provave digjitale në hetime, Wendt bëri të ditur se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po ofron trajnim për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë, me synim forcimin e aftësive për të identifikuar, ruajtur dhe përdorur provat digjitale në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht”, deklaroi ambasadori.
Wendt theksoi se manipulimi i tenderave dhe praktikat korruptive largojnë investitorët e huaj dhe dëmtojnë ekonominë shqiptare, duke sjellë humbje të vendeve të punës dhe të mundësive për rritje ekonomike.
Ai u ndal edhe te bashkëpunimi në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke vënë në dukje lidhjet mes rrjeteve që dërgojnë kokainë në Evropë dhe karteleve të Amerikës së Jugut, të cilat, sipas tij, helmojnë edhe komunitetet amerikane. Ambasadori tha se sekuestrimi i ngarkesave të drogës, bllokimi i llogarive bankare dhe goditja e drejtuesve kriminalë dobësojnë financiarisht këto organizata.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Wendt ia kushtoi provave digjitale, duke paralajmëruar se një pjesë e të dhënave të nevojshme për hetimet shqiptare ruhen në serverë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë komunikimet elektronike, llogaritë e rrjeteve sociale dhe hapësirat e ruajtjes në internet.
Ai nënvizoi se autoritetet shqiptare duhet të njohin procedurat ligjore për kërkimin dhe ruajtjen e këtyre të dhënave, pasi provat mund të zhduken brenda pak ditësh. Sipas tij, një kërkesë e dërguar në kohë për ruajtjen e informacionit mund të jetë vendimtare për ecurinë e një hetimi.
Në seminar, eksperti i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, Taylor Phillips, do të shpjegojë procedurat për sigurimin e provave digjitale nga platformat dhe kompanitë amerikane.
Ambasadori iu drejtua veçmas hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar rolin e secilit në zinxhirin e administrimit të provave. Ai nënvizoi se gjyqtarët duhet të vlerësojnë me rigorozitet besueshmërinë e tyre, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
Në përfundim të fjalës, Wendt kërkoi që vendimet të bazohen vetëm te provat dhe ligji, pa marrë parasysh pozicionin, lidhjet apo rëndësinë e personave të përfshirë në çështje.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte mesazhi i ambasadorit amerikan, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë në krah të institucioneve shqiptare të drejtësisë, për sa kohë ato veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime të papërshtatshme.a.b





