Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimet për grabitjen e rezidencës së fshatit të Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton. Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç, u paraqitën të mërkurën në Gjykatën e Magjistraturës në Norwich, ku u përballën me akuza për grabitje dhe hyrje pa autorizim në një zonë të mbrojtur.
Ngjarja e dyshuar ka ndodhur të hënën në Anmer Hall, rezidenca me 10 dhoma gjumi që ndodhet në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk. Sipas prokurorisë, dy shqiptarët dhe një person i tretë, i cili ende nuk është arrestuar, aktivizuan sensorët e lëvizjes jashtë banesës pak para orës 18:00.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurori John Cooper deklaroi se të dyshuarit dyshohet se përdorën një tub kullimi për t’u ngjitur në ndërtesë dhe për të hyrë në dhomën e zhveshjes. Prej aty, ata morën një orë dhe gjashtë palë mansheta, mes të cilave edhe një palë që gjyqtari Matthew Bone i identifikoi si mansheta të Dukës së Edinburgut.

Pas grabitjes, të dyshuarit tentuan të largoheshin nga prona, por u pikasën nga një punonjës i pasurisë mbretërore Sandringham, i cili po patrullonte zonën me një pajisje termike për të identifikuar lëvizjet në errësirë.
Doku dhe Ndoci u gjetën rreth orës 19:15 në një zonë pyjore pranë rezidencës. Në momentin e arrestimit, të dy ishin pa këpucë në këmbë. Pas ndalimit, ata u mbajtën në paraburgim.
Seanca e radhës është shtyrë për javën e ardhshme, në mënyrë që prokuroria të marrë autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm britanik për vijimin e akuzës së hyrjes pa leje në një zonë të mbrojtur. Gjatë seancës së së mërkurës, asnjëri prej të pandehurve nuk u pyet nëse pranonte apo kundërshtonte akuzat.
Anmer Hall është rezidenca që Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II ua dhuroi Princit William dhe Kate në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre. Çifti mbretëror e përdor pronën për pushime dhe qëndrime të shkurtra larg angazhimeve zyrtare. Në kohën kur dyshohet se ndodhi grabitja, në rezidencë nuk kishte banorë.
Një zëdhënës i Princit William ka deklaruar se familja mbretërore nuk komenton çështje që lidhen me sigurinë.


