“Zhvillimi i inteligjencës artificiale po transformon tregun e punës dhe mënyrën e të mësuarit, por përdorimi i teknologjisë nuk duhet të zëvendësojë aftësinë e studentëve për të menduar, analizuar dhe gjykuar në mënyrë të pavarur”.

Kështu është shprehur Dr. James Abdey, zëvendësdrejtor akademik i Programeve Globale dhe profesor i asociuar në Departamentin e Statistikës pranë London School of Economics and Political Science (LSE).

Në News24 ai u shpreh se inteligjenca artificiale do të bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën profesionale, ndaj sfida e institucioneve akademike është t’i mësojnë studentët ta përdorin atë si një instrument ndihmës, pa krijuar varësi prej saj.

“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por mund të them se inteligjenca artificiale do të jetë gjithnjë e më pranë punës së njerëzve. Është e rëndësishme që studentët të mos bëhen të varur, por ta përdorin teknologjinë si diçka plotësuese, jo zëvendësuese. Informacioni i inteligjencës artificiale mund të jetë edhe jo korrekt. Ndaj duam dhe kujdesemi që studentët të bëjnë një kontroll të realitetit”, u shpreh Abdey.

Profesori theksoi se, ndërsa inteligjenca artificiale ka reduktuar kohën dhe punën e nevojshme për kryerjen e llogaritjeve, interpretimi i rezultateve dhe aftësia për të gjykuar mbeten kompetenca thelbësore që studentët duhet të zhvillojnë.

“Inteligjenca artificiale ka zvogëluar hapësirën e kalkulimeve. Është interpretimi dhe gjykimi, aftësia që duhet të zhvillojnë studentët”, deklaroi ai.

Abdey nënvizoi se qasja e LSE-së synon ta bëjë përdorimin e inteligjencës artificiale sa më efikas, duke kombinuar njohuritë teorike me mundësitë që ofron teknologjia.

Sipas tij, zotërimi i njohurive bazë mbetet i domosdoshëm, pasi studentët që nuk kanë formimin e nevojshëm akademik do ta kenë të vështirë të vlerësojnë saktësinë e rezultateve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb