E mërkurë, 25 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ish-gruaja e dajës së Zegjinesë: Më përdhunoi para djalit 9-vjeçar, Policia tha fale
Lajme

Ish-gruaja e dajës së Zegjinesë: Më përdhunoi para djalit 9-vjeçar, Policia tha fale

Një rrëfim tronditës ka bërë publik Elojna Shpataraku, ish-bashkëshortja e Bledar Bakajt, dajës së deputetes socialiste Zegjine Çaushi. Në një intervistë televizive, 39-vjeçarja ka treguar episodet e dhunës fizike dhe seksuale që pretendon se ka përjetuar gjatë martesës, duke deklaruar se disa prej tyre kanë ndodhur edhe në praninë e djalit të tyre, i cili në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç.

Sipas Shpatarakut, marrëdhënia me Bakajn nisi përmes mblesërisë, ndërsa problemet dhe episodet e para të dhunës u shfaqën vetëm gjashtë muaj pas martesës, kur ajo ishte shtatzënë. Ajo pretendon se konfliktet lidhenin kryesisht me vështirësitë ekonomike dhe mungesën e të ardhurave nga ana e bashkëshortit.

“Me Bledar Bakajn jam njohur përmes vajzës së hallës sime. Jam lidhur me mblesëri, jemi martuar. Kemi jetuar pak kohë, mos gaboj pas 6 muajsh, kam qenë dhe shtatzënë kur kanë filluar episodet e dhunës. As nuk punonte e asgjë dhe shkak i dhunës ishte kjo. Kishte dhe nënën 75 vjeçe. Për shkak të ekonomisë vinin debatet”, rrëfen ajo.

Elojna tregon se në një prej rasteve, pas një konflikti mes Bakajt dhe nënës së tij për çështje parash, ajo ndërhyri për të mbrojtur këtë të fundit, por përfundoi vetë duke u dhunuar.

“Nënën e tij e ka ngrënë në dhëmbë në faqe, pastaj unë isha në këmbë se më vinte keq. Edhe asaj i vinte keq për mua dhe më mbronte. Hyra në kuzhinë dhe më dhunoi. Më gjuajti me shqelma, me grushte në fytyrë”, deklaron 39-vjeçarja.

Denoncimi në polici dhe pretendimi se iu kërkua ta falte

Shpataraku thotë se ka bërë vetëm një denoncim në polici, pas një episodi tjetër të rëndë dhune. Ajo rrëfen se konflikti nisi pas mosmarrëveshjeve familjare për ndihmën në shkundjen e ullinjve, ndërsa më pas, sipas saj, Bakaj e sulmoi në banesë me shqelma dhe sëpatë.

“Kur shkuan për të shkundur ullinjtë, ai më mbërtheu mua në shtëpi, me shqelma, me sëpatë, ku të kapte sëpata, në shpatull, në kurriz, në këmbë. Kam shpëtuar, kam dalë jashtë”, tregon ajo.

Pasi arriti të largohej nga banesa, Elojna thotë se kërkoi ndihmë nga një prej familjarëve të ish-bashkëshortit dhe më pas telefonoi të atin, i cili i kërkoi të denonconte dhunën.

Ajo pretendon se policia e mori Bakajn në komisariatin e Roskovecit, por më pas situata mori një drejtim tjetër. Sipas rrëfimit të saj, familjarët dhe efektivët u mblodhën së bashku, ndërsa asaj iu kërkua të falte bashkëshortin për hir të djalit.

“Më thanë që ta falja për hatër të djalit, më tha policia e Roskovecit. Ai i bëri këto gjëra dhe mua më ngarkoi me faje. Por prapë e lashë situatën që edhe djali t’i kuptonte gjërat më mirë”, rrëfen ajo.

“Më dhunonte dhe abuzonte seksualisht në prani të djalit”

Pjesa më e rëndë e dëshmisë lidhet me pretendimet për abuzim seksual dhe dhunë të përsëritur në praninë e të birit. Shpataraku thotë se djali ishte i pranishëm në episodet e dhunës dhe se ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar vazhdimisht.

“Djali ishte 9 vjeç. Ai ka qenë në çdo rast kur burri më ka dhunuar. Më ka dhunuar dhe abuzuar seksualisht në prani të djalit, i ka bërë të gjitha. Djali ishte i vogël dhe me mua do rrinte”, deklaron ajo.

Në intervistë, 39-vjeçarja përshkruan edhe plagët që thotë se i kanë mbetur nga sulmet, si dhe raste kur është kërcënuar me thikë. Ajo pretendon se Bakaj i kishte thyer hundën më herët, e kishte goditur me gurë dhe në një rast e kishte kërcënuar se do t’i priste kokën ose do ta dërgonte te babai pa rroba.

“Një herë që jam larguar, më tha: ‘O do të pres kokën, o do të nis pa rroba në trup te babai’. Më ka kaluar thika këtu vetëm se jam prapsur pak se donte të më ndrydhte dorën. Më kapi maja e thikës. S’e di as vetë se si nuk më kapi thika. Hundën ma ka thyer më përpara”, rrëfen ajo.

Shpataraku pretendon gjithashtu se është mbajtur e mbyllur për tri ditë në dhomën e gjumit. Sipas saj, arriti të largohej nga banesa vetëm kur ish-bashkëshorti doli për të shkundur arrat. Ajo mori djalin dhe u largua drejt familjes së saj, duke i kërkuar të atit që të mos e detyronte të kthehej më te bashkëshorti.

“Hoqa bluzën dhe i tregova shenjat. I thashë se ti po fle rehat, por vajza jote jo”, kujton ajo.

Daja i Zegjine Çaushit në arrest me burg

Bledar Bakaj, 52 vjeç, është daja i deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Ai është vendosur në masën e sigurisë “arrest me burg” pasi ka plagosur rëndë me dashje 67-vjeçarin Enver Grëmi, babanë e ish-partneres së tij.

Përveç kësaj çështjeje, Bakaj përballet edhe me akuzat e ngritura publikisht nga ish-bashkëshortja, e cila e ka denoncuar për dhunë fizike dhe abuzim seksual. Pretendimet e saj përbëjnë një tjetër tablo të rëndë të marrëdhënies mes tyre, ndërsa përgjegjësia penale për këto akuza duhet të përcaktohet nga organet kompetente.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.